‘Kjo qeveri vjedh nga mëngjesi në darkë’, Blushi: Çmimi i naftës, ja si po zhvaten miliona euro nga xhepat e qytetarëve

Partia e Lirisë akuzon qeverinë se po hesht përballë një propozimi konkret për uljen e menjëhershme të çmimit të karburanteve, duke e cilësuar situatën aktuale si një “skemë zhvatjeje skandaloze dhe kriminale” ndaj qytetarëve. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force politike, Tedi Blushi në një intervistë për Syri tv me moderatorin Arnold Kariqi, deklaroi se e vetmja zgjidhje efikase dhe e shpejtë është projektligji i paraqitur dy javë më parë, i cili synon heqjen e taksës së karbonit dhe asaj të qarkullimit.

Sipas Blushit, bordi i mëparshëm i menaxhimit të çmimeve ishte thjesht një “bord i zhvatjes së radhës”. Ai zbuloi se nga këto dy taksa, qeveria mbledh rreth 300 milionë euro në vit, ndërkohë që buxheti për mirëmbajtjen e rrugëve është vetëm 55 milionë euro. Kjo diferencë, sipas tij, tregon për një abuzim flagrant me fondet publike. Ai shtoi se qeveria po përdor konfliktin në Lindjen e Mesme si një pretekst për të justifikuar rritjen abuzive të çmimeve, ndërkohë që pasojat reale të këtij konflikti ende nuk janë ndjerë plotësisht.

Deputeti i Partisë së Lirisë vuri në dukje një standard të dyfishtë, ku “populli më i varfër i kontinentit” mbitaksohet, ndërsa jahtet luksoze furnizohen me karburant me çmime minimale, rreth 50 lekë për litër.

Arnold Kariqi: Në hapësirën e intervistës do të fokusohemi tek aktualiteti i ditës, aktualiteti politik me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi. E nisim pak me denoncimin e ditës së sotme, ku keni akuzuar qeverinë se po hesht përballë projektligjit të paraqitur nga grupi parlamentar i forcës suaj politike, që lidhet me një projektligj urgjent për uljen e çmimit të karburanteve. Në fakt, kryeministrja paralajmëroi që do të ngrihej ai bordi i famshëm që u ngrit dikur për të mbajtur nën kontroll karburantet, por deri në këto momente nuk kemi asgjë.

Tedi Blushi: Në fakt, bordi i mëparshëm tregoi që ishte thjesht dhe vetëm bordi i zhvatjes së radhës së qytetarëve shqiptarë. Ne besojmë që koha e fjalëve ka marrë fund dhe asnjë justifikim apo pretekst nuk mund të zgjidhë një problem me të cilin sot shqiptarët hasen çdo ditë. E vetmja zgjidhje efikase, e shpejtë, e menjëhershme, konkrete, është thjesht dhe vetëm projektligji që ne kemi depozituar rreth dy javë më parë, për uljen e çmimit të karburanteve, veçanërisht në kushtet kur jo vetëm kemi një rritje abuzive të çmimit, duke e referuar si pretekst konfliktin në Lindjen e Mesme, por edhe faktin që ky konflikt po përshkallëzohet dhe që sigurisht pasojat do të ndihen realisht shumë shpejt në çmimin e karburanteve. Ne mendojmë se zgjidhja e vetme është miratimi i këtij projektligji, i cili në thelb synon heqjen e dy taksave, taksës së karbonit dhe taksës së qarkullimit, me të cilat është abuzuar në mënyrë skandaloze dhe kriminale nga qeveria Rama, sepse siç dihet, një pjesë e këtyre taksave shkojnë për mirëmbajtjen e rrugëve, kur ndërkohë buxheti total i cili i akordohet mirëmbajtjes së rrugëve në vite është rreth 55 milionë euro dhe kur ndërkohë nga këto taksa, qeveria u mbledh shqiptarëve rreth 300 milionë euro.

Dhe nuk ka nevojë për shumë komente sepse sot të gjithë shqiptarët nga veriu në jug e dinë se si i mirëmban qeveria rrugët dhe në veçanti, javët e fundit, banorët e qarkut të Korçës, por edhe të qytetit të Pogradecit, Librazhdit apo Prrenjasit, e vuajnë në kurrizin e tyre abuzimin skandaloz me taksat dhe në veçanti papërgjegjshmërinë dhe vjedhjen kriminale barbare që qeveria u ka bërë fondit, jo vetëm për mirëmbajtjen e rrugëve, por në veçanti dhe fondeve të infrastrukturës. Dhe përballë një administrate tatimore të shpartalluar, e cila ka rekorde negative sa i përket krahasuar me të gjithë vendet e tjera të rajonit, sepse me vendet e Bashkimit Evropian jemi vite dritë larg…

…Ndaj, në këto në këto kushte, kur populli më i varfër i kontinentit mbitaksohet, një vend i cili është prodhues nafte, por që naftën e shqiptarëve dihet se ku përfundon dhe se kush e përdor, dhe një popull i cili paguan tre herë më lart një çmim naftë, apo një litër karburant, krahasuar me njerëzit më të pasur të botës. Besoj edhe ju si media keni transmetuar kronikën se si njerëzit më të pasur të botës, qeveria i ka përjashtuar nga taksat e furnizimit me karburant. A ka, logjikë që njerëzit më të pasur të botës të paguajnë më pak taksa sesa qytetarët më të varfër të kontinentit?

Ne mendojmë që jo dhe kështu duhet të jetë në fakt. Ndaj prej dy javësh po presim që ky projektligj të futet me procedurë të përshpejtuar në kuvend. Sigurisht, një administratë dhe një shumicë rilindase, prioriteti i së cilës është vetëm zhvatja dhe grabitja 24 orë e popullit më të varfër të kontinentit, sigurisht që nuk mund të jetë prioritet një projektligj i cili nuk ka ngjyrime politike, por ka një vetëm një interes, interesin publik. Ndaj sot përsëritëm thirrjen që ky projektligj duhet të futet me urgjencë në shqyrtimin në komisionet përgjegjëse parlamentare dhe duhet të kthehet sa më parë në një ligj. E kemi cilësuar si gur prove për një qeveri e cila propagandon nga mëngjesi në darkë interesin publik, por që në realitet nuk bën asgjë tjetër veçse nga mëngjesi në darkë, vjedh popullin më të varfër të Europës. Dhe sigurisht një gur prove dhe për çdo deputet i cili tanimë e ka gurin e provës mbi tavolinë dhe duhet të tregojë nëse ndodhet në parlament për të mbrojtur interesin publik apo për të mbrojtur interesat e atyre që ne i kemi cilësuar si oligarkët e babëzitur të naftës…