Berisha: Pesë zonja në drejtim të degëve të PD, ky është një dimension vërtet emancipues
Në mbledhjen e kryesisë së Partia Demokratike, kryetari Sali Berisha vlerësoi si një hap pozitiv zgjedhjet e zhvilluara në Lezhë, Vlorë, Sarandë dhe Himarë, ku demokratët votuan lirshëm për katër zonja të nderuara. Ai përmendi gjithashtu suksesin në Dimal.
Berisha theksoi se procesi ka tejkaluar një mentalitet të prapambetur dhe paternalist, duke e cilësuar këtë dimension si emancipues. Ai përgëzoi zonjat për guximin, përkushtimin dhe suksesin e tyre.
Kryetari i PD u shpreh se procesi i zgjedhjeve në degë duhet të përfundojë sipas planit, për t’u finalizuar me Kuvendin në fillim të qershorit, ndërsa partia do të përqendrohet në përgatitjet për zgjedhjet vendore, me angazhim maksimal.
FJALA E BERISHËS:
Për t’u përshëndetur si hap pozitiv është gjithashtu zgjedhja në Lezhë, në Vlorë, Sarandë dhe Himarë me votën e lirë të demokratëve i katër zonjave të nderuara. Edhe në Dimal, pesë.
U tejkalua një mentalitet i prapambetur, paternalist, absolutisht i pabazë.
Dhe unë them që edhe ky dimension kësaj here është një dimension vërtet emancipues dhe i përgëzoj ato zonja për guximin e tyre, për përkushtimin e tyre, për suksesin e tyre.
Kështu që të vazhdojmë në këtë drejtim, të finalizojmë sipas përcaktimeve që u lexuan këtu zgjedhjet në degë, ta mbyllim këtë proces, ta finalizojmë me Kuvendin në fillim të qershorit dhe rikthehemi krahas kryengritjes paqësore, rikthehemi tek përgatitjet për zgjedhjet vendore, për të cilat duhet të angazhohemi me gjithë forcën.