Irani sulmon Dubain, Izraeli fut tanket në Liban

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se NATO-ja do të përballet me një të ardhme shumë të keqe nëse aleatët amerikanë nuk ndihmojnë në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë iu ka kërkuar një sërë vendesh që preken nga bllokimi i Ngushticës së Lindjes së Mesme, të dërgojnë anije luftarake në rajon, por duket se deri më tani thirrjet e tij kanë rënë në vesh të shurdhët.

“Unë kërkoj që këto vende të vijnë dhe të mbrojnë territorin e tyre. Sepse është vendi nga i cili ata marrin energjinë e tyre”, tha Trump.

Vendet e Bashkimit Europian do të diskutojnë sot për hapat e mundshëm që mund të ndërmarrin.

“Është në interesin tonë ta mbajmë të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe për këtë arsye po diskutojmë edhe se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim nga ana evropiane”, tha Kallas.

Japonia dhe Australia kanë thënë se nuk po planifikojnë të ndërmarrin ndonjë mision shoqërues në Hormuz.

Kina tha se po bisedonte me Shtetet e Bashkuara në lidhje me vizitën e Trump e cila mund të shtyhet për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, dhe përsëriti thirrjen e saj për deeskalim.

Ndërkohë, në terren sulmet ndaj Iranit vazhduan ashtu si edhe shënjestrimet ndaj vendeve të tjera të rajonit. Pamjet e fundit nga Teherani treguan shtëllunga të mëdha tymi mbi qytet.

Në Izrael, kamerat e sigurisë fiksuan momentin kur një dron Iranian goditi një rrugë në qendër të Tel Avivit.

Në Dubai, një sulm Iranian shënjestroi aeroportin ndërkombëtar.

Si pasojë nuk pati persona të plagosur, por droni goditi rezervuarin e karburantit duke detyruar pezullimin e përkohshëm të fluturimeve.

Një tjetër sulm me dronë gjatë natës, shkaktoi zjarr në një zonë të madhe industriale të naftës në Emiratet e Bashkuara Arabe duke pezulluar operacionet e ngarkimit të karburantit në portin Fujairah, një nga më kryesorët në rajon.

Njëkohësisht, ushtria izraelite ka njoftuar zgjerimin e operacioneve në Liban me sulme tokësore që shënjestronin Hezbollahun.

IDF-ja tha se para hyrjes së trupave në zonë, kreu sulme ajrore dhe artilerie kundër objektivave të shumta me qëllim zbutjen e kërcënimeve.