Berisha: Nuk bashkojmë asnjë votë me Ramën! Dënoj vendimin e Sadushit që u krijon mundësinë të gjithë kriminelëve të arratisen
Duke ju përgjigjur interesit të gazetarëve pas daljes nga SPAK kreu demokrat tha se, “nuk bashkojmë asnjë votë me Ramën!”.
Ndërkohë që për qëndrimin e kreut të Gjykatës së lartë për paraburgimin, Berisha tha se e, “dënoj vendimin e Sadushit që u krijon mundësinë të gjithë kriminelëve të arratisen”.
Gazetarët: Zoti Berisha, a do të bashkoni votat me mazhorancën për ndryshimet ligjore të propozuara?
Sali Berisha: Ato janë ndryshime antikushtetuese dhe ne nuk bashkojmë kurrë asnjë votë me Edi Ramën.
Kjo të jetë shumë e prerë.
Por unë meqë jam në këtë temë, denoncoj si akt jashtëzakonisht të rrezikshëm vendimin e partizanit Sadushi, nuk i them partizan për luftën, por i them në kuptimin e partizanit të Edi Ramës, i cili me vendimin që ka bërë, e ka shndërruar Shqipërinë në vendin më të rrezikshëm. Është vendi më i rrezikshëm, por është shumë herë më i rrezikshëm pasi u krijon mundësi të gjithë kriminelëve të arratisen dhe nuk do ketë më kriminelë në bankën e akuzës.
Me vendimin e tij, ai krijoi një mburojë për krerët e organizatave kriminale, zyrtarë apo jozyrtarë qofshin ata dhe ky përbën një rrezik madhor për rajonin.
Edhe në kushtet e sotme, gjatë 5 viteve të shkuara, 252 mandate të bosëve të krimit nuk u ekzekutuan, por mbetën të lirë në Shqipëri dhe në vende të tjera.
Kurse tani në qoftë se mandatet ekzekutoheshin vetëm 15 përqind e tyre, tani 0 përqind.
Të gjithë mandatet e arrestit do të përfundojnë në arrati dhe në kërkim me këtë vendim që ka bërë Sadushi për të mbrojtur gjoja parimet.