EMRAT/ Tritoli në makinën e Oltion Klosit, arrestohen 7 persona: Porosia u dha nga burgu

Policia e Tiranës ka zbardhur shpërthimin me lëndë plasëse të ndodhur në orët e para të mëngjesit të 10 marsit 2026 në rrugën “Vasil Ndoçka”.

Sipas policisë, në automjetin në pronësi të shtetasit Oltion Klosit u vendos dhe shpërtheu një sasi lënde eksplozive, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, nisën hetimet dhe organizuan operacionin për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i veprimeve hetimore, administrimit të provave në vendngjarje dhe verifikimit të kamerave të sigurisë në disa akse rrugore, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i personave të përfshirë në këtë ngjarje.

Tiranë/Jurgen Gjonaj, Renato Balla, Kristjan Ahmerama dhe Eklips Leti, Glentjan Kojtari, Dorjan Hamolli dhe Geris Molla. Si dhe Sabah Nuzi, aktualisht në IEVP.

Në pranga janë vënë shtetasit Jurgen Gjonaj, 32 vjeç; Renato Balla, 25 vjeç; Kristjan Ahmerama, 24 vjeç dhe Eklips Leti, 27 vjeç, të dyshuar për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, të kryer në bashkëpunim. Gjithashtu janë ndaluar edhe shtetasit Glentjan Kojtari, 29 vjeç; Dorjan Hamolli, 34 vjeç dhe Geris Molla, 19 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Policia ka bërë gjithashtu ndalimin me iniciativë për të njëjtën vepër penale ndaj shtetasit S. N., 33 vjeç, i cili ndodhet aktualisht në IEVP Fushë-Krujë dhe dyshohet se ka porositur vendosjen e lëndës plasëse.

Nga hetimet rezulton se autori i vendosjes dhe shpërthimit të eksplozivit është shtetasi J. G., i cili dyshohet se është ndihmuar nga tre persona të tjerë, që i kanë siguruar fotografitë dhe vendndodhjen e automjetit, biçikletën me të cilën ka lëvizur, banesën ku është strehuar si dhe lëndën eksplozive.

Ndërkohë, tre shtetasit e tjerë dyshohet se kanë transportuar me automjet autorin e vendosjes së eksplozivit në ditën e ngjarjes.

Gjatë operacionit policia sekuestroi biçikletën e përdorur në ngjarje, rrobat e autorit, automjetet me të cilat kanë lëvizur të dyshuarit si dhe aparatet celularë të tyre. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.