‘Më shumë se pyetja e Ambrozias’, Bushkolaj: Ja çfarë e shpërfytyroj në të vërtetë Ramën
Konferenca e fundit për shtyp e kryeministrit Edi Rama u shënjua nga një përplasje e ashpër me gazetaren e Syri tv Ambrozia Meta.
Sipas gazetarit Elkier Bushkolaj që ishte i ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv, shpërthimi i Ramës nuk ishte thjesht një reagim ndaj pyetjes specifike për faturat e papaguara të energjisë dhe retorikën “burg, burg, burg”, por një shprehje e një pakënaqësie më të thellë ndaj linjës editoriale të medias që gazetarja përfaqësonte.
“Nervozizmi i kryeministrit sipas gazetarit, buron nga roli që media si Syri Televizion luan në pasqyrimin e një realiteti tjetër, shpesh në kontrast të thellë me narrativën zyrtare të qeverisë.
Gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri Bushkolaj tha se, “një nga pikat që mendohet se ka shtuar tensionin është investigimi i emisionit italian “Le Iene” për mashtrimet përmes “call center”-ave, ku përmendej edhe vëllai i kryeministrit, një lajm ky i transmetuar gjerësisht nga Syri tv.
Ky pasqyrim i realitetit përfshin edhe çështje madhore që sfidojnë imazhin e një Shqipërie. Ndër to përmendet eksodi dramatik dhe rënia demografike, ku “truri” i kombit, nga mjekët tek ekspertët e IT-së dhe sipërmarrësit, po largohet nga vendi. Sipas të dhënave statistikore të cituara, të vetmit që kthehen janë shpesh individë me probleme me ligjin në vendet e huaja.
Gjithashtu, raportimi i vazhdueshëm për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave shihet si një tjetër arsye e irritimit të Ramës. Sipas Bushkolajt raportet e SPAK dhe deklaratat e vazhdueshme të partnerëve ndërkombëtarë, si ambasada amerikane, flasin për një kalim të pastrimit të parave nga një aktivitet sporadik në një “arkitekturë ekonomike” të mirëfilltë, të shtrirë në sektorin e ndërtimit me kulla dhe resorte. Këto janë të dhëna që media kritike i merr, i analizon dhe i raporton, duke ndërtuar një narrativë opozitare ndaj asaj qeveritare.
Në këtë kontekst, pyetja e gazetares në konferencë ishte vetëm shkëndija që ndezi një zjarr të akumuluar.
Flavio Qarri: Bushkolaj, çfarë ndodhi në konferencën e fundit të kryeministrit?
Elkier Bushkolaj: Se çfarë ndodhi u pa Flavio, po problemi është sepse arritëm deri në atë pikë. Shpesh kur flasim për burg, burg, burg, shumica përmendin, jo energjinë elektrike, përmendin jo faturat e ujit. Mua më vjen ndërmend një ngjarje që është shumë e rëndë për hir të së vërtetës. Ka qenë një aksident tragjik në Golem. Një nënë me dy fëmijë përfshihet në një aksident të rëndë në Golem, ku për fat të keq humbin jetën dy fëmijët. Duhet të kemi parasysh që aksidenti ndodhi pranë një karburanti dhe aty kishte një aferë të mirëfilltë korrupsioni në mënyrën se si kishte bërë, po, se si ishte sharruar karrexhata. Ato po shkonin për të takuar kryefamiljarin në burg që ishte aty për një ndërtim në banesë private. Llogarit se sa mund të jetë dëmi në një banesë private krahasuar me dëmin e 7-8 kateve pa leje përballë zyrës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës apo ato kullat krah kryeministrisë. Edhe kjo ngjarje më vjen ndërmend gjithmonë sa herë kujtoj Edi Ramën që thotë burg, burg, burg.
Ishte një pyetje krejt korrekte për të vënë në dukje dy standardet. Sepse ti zotëri nuk u shqetësove nga 2013-ta deri në 2026-ën për mijëra e mijëra e mijëra qytetarë që kanë pësuar probleme. Unë njoh raste konkrete që janë detyruar të marrin mikrokredi, pensionistë, për shkak të faturave të pashlyera të energjisë elektrike apo të ujit. Se duhet të kemi parasysh që nëse ti nuk shlyen ato fatura nuk merr dot më asnjë shërbim, nuk merr dot shërbim në bankë, nuk merr dot shërbim nëpër institucione. Dhe ndodhi se çfarë ndodhi, por gropa korruptive që u bë më pas në këtë sektor ishte e pakrahasueshme me atë, po themi me ato vonesat apo me ato kamatat apo me ato mosshlyerjet e një kategorie të shoqërisë se duhet ta saktësojmë këtë pjesën. Nuk ka qenë pjesa dërrmuese e shoqërisë shqiptare, por ka qenë një kategori shumë e vogël e përqendruar kryesisht në zona periferike, se ne kemi një traditë që këtu dhe në '97-ën një pjesë e mirë e qyteteve janë paguar rregullisht faturat e energjisë edhe të ujit.
Por unë besoj që kjo është të paktën vetëm ajo se çfarë shihet pamja e parë. Përtej kësaj, unë gjykoj që irritimi i Edi Ramës nuk lidhej me pyetjen, se është një pyetje që kam përshtypjen që Edi Rama e priste, se në fund të ditës e di që aty ndër të tjera ka dhe një media që tenton dhe përpiqet të bëjë opozitë me ato kushte që bëhet opozita në Shqipëri. Unë besoj që ajo pyetje lidhet më shumë me atë se çfarë Syri Televizion bën në vazhdimësi dhe çfarë Syri Televizion transmeton. Pra, Syri Televizion është nga ato media që nuk transmeton lajme ndërkombëtare që flasin për turizmin.
Një nga lajmet e fundit ishte investigimi italian Le Iene, ku vetë drejtuesi i emisionit i drejtohet kryeministrit Edi Rama, " Që shiko se vëllai yt..." vëllazërisht... "po zhvat miliona euro". Dhe ne duhet ta kemi parasysh, kushdo që ka pak haber nga çështjet e sigurisë, që këtu call center-at zhvatës, bashkë me sektorin e ndërtimit, janë dy sektorë informal që de facto janë shtylla e ekonomisë shqiptare. Dhe për ironi të fatit, fijet në të dyja këto sektorë na çojnë tek i njëjti mbiemër. Por përtej kësaj, është një nga ato media që nga mëngjesi deri në darkë është e vendosur në dispozicion të qytetarëve, që nis me ato telefonatat në emisionin e mëngjesit, që shprehin ato shqetësimet e tyre, më pas një pjesë e mirë e atyre shqetësimeve ndiqen me kamera nga gazetarët tanë të redaksisë. Kuptohet edhe narrativa e emisioneve ka vetëm një fokus, pra zbulimin e skandaleve. Dhe këto janë arsyet reale që e shqetësojnë Edi Ramën dhe e bëjnë të humbasë atë kontroll. Pasi është një dritare ku realisht flitet se çfarë po ndodh. Pra këto lajmet për shifrat e INSTAT-it mund t'i shohësh te monitori që tregojnë se si Shqipëria po shuhet. Dhe deri në 2030-ën apo deri në 2040-ën ne rrezikojmë... ekzistencën po... realisht jemi në kufijtë e ekzistencës sa i përket lindshmërisë. Arsyet dihen, është eksodi dramatik.
Pra, të vetmit që kthehen në Shqipëri, Flavio, sipas statistikave janë vetëm ato njerëz që kanë probleme me ligjin jashtë. Pra nga familjet e reja që ikin dhe nga të rinjtë që ikin, të vetmit që kthehen qoftë për të investuar apo ndoshta dhe për të jetuar në Shqipëri, janë njerëz që problemet me ligjin ua pamundësojnë që të bëjnë një jetë normale jashtë vendit, dhe kjo është fatkeqësi. Se nëse kemi parë që deri, në 2017-ën ikte një pjesë e krahut të punës, tani ajo qasje ka ndryshuar. Tani ikën truri, pra na ikën mjekët, heshtëm, ikën arsimtarët, tani po ikin ekspertët e IT, po ikin edhe sipërmarrësit për fat të keq, dhe shumë prej sipërmarrjeve të mëdha tashmë i kanë zhvendosur selitë e tyre dhe nuk po flasim thjesht për fasoneri, po po flasim për njerëz që në kurriz të këtij populli janë bërë miliarderë. Dhe sot kanë shkuar, kanë investuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian. Është një realitet që ne e jetojmë dhe e prekim çdo ditë dhe ky është irritimi i Edi Ramës. Fakti që dikush guxon dhe në atë sallë i thotë që është kjo Shqipëria tjetër.
Nuk është kjo Shqipëria për të cilën ti flet, ajo është Shqipëri në 3D. Për çfarë mund të flasim? Mund të flasim për sigurinë në shkolla. Përditë po na vriten nxënës me thika. Për çfarë mund të flasim? Mund të flasim për pastrimin e parave në ndërtim. Ta thotë vetë raporti i SPAK-ut: Nga një strukturë sporadike që ka qenë pastrimi i parave thotë, ka kaluar në një arkitekturë ekonomike të shoqërisë. Pra nuk bëhet më pastrimi i parave nëpër lokale apo nëpër lavazhe, jo. Bëhet direkt nën hijen e kryeministrit Edi Rama me leje ndërtimi në kulla dhe në resorte. Strukturë ekonomike, dhe kur ta thotë vetë SPAK-u që në fund të ditës ne e dimë se si është përbërja e SPAK-ut dhe e dimë se deri ku shkon ndërhyrja e partnerëve ndërkombëtarë dhe deri ku shkon ndërhyrja e qeverisë. Janë partnerët, është antimafia, janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga data po themi 10 shtator deri në 16 janar ne kemi 19 deklarata vetëm në faqen në rrjetet sociale të ambasadës së Amerikës, që ka dy fjalë kyçe: kartelet e drogës, lufta kundër krimit transnacional si i thonë ato në gjuhën e tyre, dhe pastrimi i parave. Pra nuk e thotë Syri. Syri thjesht i referohet asaj të dhëne. E merr, e analizon, e verifikon dhe e raporton atë të dhënë. Dhe në bazë të asaj të dhëne ne ndërtojmë narrativën si media, që është një narrativë opozitare. Të thashë, pastaj për të kuptuar peshën e atij njeriu mjaftoi ajo ndërhyrja që bënte për të krijuar dhe divergjenca mes gazetarëve që është e turpshme realisht për një burrë në atë moshë që në fund të ditës është prind, nesër mund të jetë edhe gjysh, të bësh atë ndasi, thjesht tregon se në çfarë nivelesh ka shkuar qeverisja.