Richarlison ‘ngrin’ Liverpooli-n në fund, Tottenhami jep shenja jete

Liverpool humbi mundësinë për t’u futur në katërshen e parë të Premier League, pasi u ndal në një barazim 1-1 ndaj Tottenham Hotspur në “Anfield”.

Të kuqtë kaluan në avantazh në minutën e 18-të falë një goditjeje dënimi spektakolare nga Dominik Szoboszlai, i cili dërgoi topin në këndin e sipërm të portës. Liverpool pati edhe raste të tjera për të dyfishuar rezultatin, por Ryan Gravenberch dhe Cody Gakpo nuk arritën të konkretizonin.

Në pjesën e dytë vendasit vazhduan të krijonin raste, ndërsa trajneri Arne Slot hodhi në fushë edhe Mohamed Salah për të shtuar forcën sulmuese. Megjithatë, mungesa e saktësisë para portës i kushtoi shtrenjtë Liverpoolit.

Në minutën e 90-të, Richarlison shfrytëzoi një asist të Randal Kolo Muani dhe barazoi shifrat 1-1, duke i dhënë një pikë të rëndësishme Tottenhamit.

Pas këtij barazimi, Liverpool mbetet në vendin e pestë, dy pikë pas Aston Villa-s, ndërsa Tottenham largohet përkohësisht nga zona e rënies nga kategoria, edhe pse mbetet shumë afër saj.