Barazim dramatik mes Vorës dhe Partizanit, Dinamo mposhtet nga Teuta

Kriza e Dinamos duket se nuk ka fund. Në “Air Albania”, Teuta e Durrësit shfrytëzoi në maksimum dobësitë e bluve dhe mori një fitore të artë 0-1, duke ndezur përsëri garën për “Final Four”. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Ergis Arifi në minutën e 31-të, pas një aksioni të kombinuar mes Dacit dhe Ismajlit. Dinamo, e drejtuar nga Ilir Daja, nuk arriti të reagojë, duke treguar mungesë idesh dhe efikasiteti në fazën sulmuese. Edhe ndryshimet taktike në pjesën e dytë nuk sollën rezultat, ndërsa Teuta mbrojti me vendosmëri avantazhin, pavarësisht se e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Rooney-t.

Në kryeqytet, drama u zhvendos edhe në derbin e vogël mes Vorës dhe Partizanit. Takimi përfundoi 2-2, por rrjedha e lojës ishte e mbushur me tension dhe emocione. Vora shënoi dy herë në fundin e pjesës së parë me Luiz Felipe dhe Ohaegbulam, duke i befasuar të kuqtë. Megjithatë, Doumbia riktheu shpresën për Partizanin me një gol të bukur në minutën e 45+7.

Pjesa e dytë solli edhe më shumë dramë: Doumbia u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 90-të, por në minutën e 95-të autogoli i Ohaegbulam i dhuroi Partizanit një pikë të çmuar.

Rezultatet e javës së 28-të e lënë Dinamon në vendin e pestë me 39 pikë, ndërsa Partizani ruan vendin e katërt me 43 pikë. Teuta ngjitet menjëherë pas Dinamos me 37 pikë, duke e bërë garën për “Final Four” më të ndezur se kurrë. Vora, nga ana tjetër, vazhdon serinë negative me nëntë ndeshje pa fitore, duke mbetur në mesin e tabelës.