Raphinha me ‘hat-trick’, Barcelona dëfren tifozët në ‘Camp Nou’ ndaj Sevilla-s

Barcelona siguroi një fitore spektakolare 5-2 ndaj Sevilla-s në LaLiga, në një ndeshje ku protagonist absolut ishte Raphinha me tre gola.

Ndeshja u zhbllokua në minutën e 8-të, kur João Cancelo u pengua në zonë dhe gjyqtari akordoi penallti. Nga pika e bardhë, Raphinha realizoi me stil “Panenka”, duke kaluar Barcelonën në avantazh 1-0.

Vetëm pak minuta më vonë erdhi edhe goli i dytë. Pas një krosimi të ulët të Cancelo-s, topi preku dorën e José Ángel Carmona brenda zonës dhe u akordua një tjetër penallti. Sërish Raphinha u tregua i saktë, këtë herë me një goditje të fortë në të djathtë të portierit Odysseas Vlachodimos për 2-0.

Barcelona thelloi epërsinë në 3-0 pas një kundërsulmi të shpejtë, kur Dani Olmo goditi saktë me një gjuajtje të ulët në vrapim, duke mposhtur Vlachodimos-in.

Në fundin e pjesës së parë, Sevilla rihapi përkohësisht takimin. Në kohën shtesë, Oso shfrytëzoi një top në shtyllën e dytë dhe realizoi me një volej të kontrolluar për 3-1.

Në minutën e 51-të, Barcelona shënoi golin e katërt. Pas një aksioni të mirë të Fermín López, topi mbërriti te Raphinha, i cili gjuajti drejt portës dhe devijimi i Nemanja Gudelj e dërgoi topin në rrjetë, duke kompletuar “hat-trick”-un e brazilianit.

Në minutën e 60-të, Cancelo realizoi golin e pestë për Barcelonën, pasi depërtoi në zonë dhe gjuajti mes këmbëve të Vlachodimosit për 5-1.

Në minutat e fundit, Djibril Sow shënoi golin e dytë për Sevillan, duke vulosur rezultatin përfundimtar 5-2.

Barcelona me këtë fitore ruan diferencën prej katër pikësh me Real Madridin që ndjek nga pas.