Përfundon numërimi/ Zgjidhet kreu i PD, Pogradec

Në degën e Partisë Demokratike në Pogradec ka përfunduar procesi i numërimit të votave për zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj dege. Pas përfundimit të numërimit, rezulton se kandidati Oligert Muçllari ka siguruar 247 vota, ndërsa kandidati tjetër në garë, Kasëm Galla, ka marrë 224 vota. Në këtë proces janë regjistruar gjithashtu edhe 6 vota të pavlefshme.

Në total në votim morën pjesë 476 anëtarë të Partisë Demokratike në Pogradec. Procesi i votimit, i cili nisi në orën 08:00 të mëngjesit, u zhvillua në një atmosferë të qetë dhe pa probleme të theksuara.

Në garë për drejtimin e degës së PD-së në Pogradec ishin dy emra të njohur të strukturave lokale të kësaj force politike. Oligert Muçllari, me profesion ekonomist dhe drejtues i komanduar i degës pas procesit të primareve, kandidonte për herë të parë për drejtimin e degës. Ndërsa kandidati tjetër, Kasëm Galla, ka drejtuar më herët degën e Partisë Demokratike në Pogradec gjatë viteve 2019–2021 dhe njihet gjithashtu si një nga biznesmenët e zonës.

Me rezultatin e shpallur pas përfundimit të numërimit, Oligert Muçllari shpallet fitues i garës dhe kryetari i ri i degës së Partisë Demokratike në Pogradec.

Oligert Muçllari:

Falenderoj të gjithë anëtarët e PD në Pogradec për vlerësimin dhe privilegjin që më dhanë për drejtimin e degës së Pogradecit, por edhe për përgjegjësinë e madhe që na pret në të ardhmen. Unë e shoh këtë si një përgjegjësi të madhe jo vetëm ndaj demokratëve, por edhe ndaj të gjithë qytetarëve të Pogradecit.
Ishte një proces dhe një garë dinjitoze. Kam vlerësim maksimal edhe për mikun tim, Kasëm Galla, me të cilin ishim në garë.
Me dëshirë dhe angazhim të madh, shpresoj që ne si degë e PD të çojmë përpara misionin tonë, duke e rikthyer bashkinë nën drejtimin e Partisë Demokratike dhe duke e qeverisur me dinjitet, ashtu siç u takon qytetarëve të Pogradecit.