Fier/ Dhunë, mashtrim dhe vjedhje, procedohen disa persona dhe shpallen në kërkim babë e bir
Policia e Fierit ka nisur disa procedime penale për raste dhune, mashtrimi dhe vjedhjeje, ndërsa dy persona janë shpallur në kërkim.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, një 21-vjeçar nga Peqini po hetohet pasi dyshohet se ka goditur me grushte një të mitur 16 vjeç, ndërsa një 27-vjeçar nga Fieri akuzohet se i ka marrë para një shtetaseje përmes mashtrimit dhe nuk ia ka kthyer.
Në një tjetër rast, babë e bir, 40 dhe 20 vjeç, janë shpallur në kërkim pasi dyshohet se kanë dhunuar një 45-vjeçar për motive të dobëta. Ndërkohë, në Divjakë ka nisur procedim penal edhe ndaj një 14-vjeçari që dyshohet se ka vjedhur disa enë kuzhine në banesën e një 63-vjeçari.
Paralelisht, një fëmijë 2-vjeçar është dërguar për mjekim në spital pasi ka rënë aksidentalisht nga veranda e banesës në Lushnjë, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
• M. D., 21 vjeç, banues në Peqin, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetas të mitur, 16 vjeç;
• E. A., 27 vjeç, banues në Fier, pasi nëpërmjet mashtrimit i ka marrë një shumë parash një shtetaseje dhe nuk ia ka kthyer më.Po nga këta specialistë u shpallën në kërkim shtetasit I. A., 40 vjeç, dhe djali i tij, N. A., 20 vjeç, pasi për motive të dobëta kanë goditur me grushte një shtetas 45 vjeç. Po punohet për kapjen e tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas të mitur, 14 vjeç, pasi dyshohet se ka vjedhur disa enë kuzhine në banesën e shtetasit H. R., 63 vjeç.
Ditën e djeshme, në Spitalin e Lushnjës është dërguar nga familjarët për ndihmë mjekësore një shtetas i mitur, 2 vjeç, pasi aksidentalisht ka rënë nga veranda e banesës. Aktualisht, i mituri ndodhet në Spitalin e Traumës, Tiranë, për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.