Petresh, Elbasan: Fshati shpopullohet, mbeten vetëm të moshuarit mes vështirësive

Fshati Petresh, në bashkinë Elbasan, po përballet me shpopullim masiv në vitet e fundit. Te vetmit që kanë mbetur janë të moshuarit, të cilët shprehen se arsyeja kryesore e largimit të fëmijëve të tyre është mungesa e punësimit dhe perspektivës për të ardhmen në zonë.

Banorët tregojnë se nga rreth 300 familje që dikur jetonin në Petresh, sot kanë mbetur vetëm rreth 100, shumica të moshuar, duke e bërë jetesën shumë të vështirë pa praninë e fëmijëve pranë.

Në zonë, të mbeturit merren kryesisht me kultivimin e duhanit, por të ardhurat janë të pamjaftueshme për të përballuar jetesën. Ata shprehen se mungesa e kushteve dhe perspektivës ka nxitur largimin masiv të banorëve, dhe një pjesë e tyre që ka mbetur po mendon gjithashtu të largohet.

Situata e Petreshit është pjesë e një fenomeni më të gjerë në shumë fshatra të qarkut të Elbasanit, që po shkretohen dita-ditës, duke lënë pas vetëm shtëpi dhe dyer të mbyllura.