Boga vendos sfidën në Udine, Juventusi ngjitet në vendin e katërt
Juventusi mori një fitore shumë të rëndësishme në javën e 29-të të Serie A, duke mposhtur 1-0 Udinesen në transfertë dhe duke u ngjitur përkohësisht në vendin e katërt të renditjes me 53 pikë.
Skuadra e drejtuar nga Luciano Spalletti konfirmoi momentin e mirë pas suksesit ndaj Pisa, duke marrë fitoren e dytë radhazi në kampionat në një fushë tradicionalisht të vështirë. Bardhezinjtë nisën ndeshjen me një skemë të veçantë, ku Kenan Yildiz u aktivizua si ‘9 fals’, ndërsa Jonathan David u ruajt dhe u hodh në fushë vetëm në minutat shtesë.
Pas disa minutash të balancuara, Juventusi mori kontrollin e lojës dhe gjeti golin vendimtar në minutën e 38-të. Yildiz shpërtheu nga krahu i majtë duke kaluar Oier Zarraga-n dhe dërgoi një top në zonë, ku Jeremie Boga u gjend në pozicionin e duhur për ta shtyrë në rrjetë. Për sulmuesin nga Bregu i Fildishtë ishte goli i tretë radhazi në kampionat.
Në pjesën e dytë, Udinese reagoi dhe pati një rast të artë për barazim me Jurgen Ekkelenkamp, por mesfushori gaboi përballë portës. Juventusi nga ana tjetër ishte pranë golit të dytë me Francisco Conceição-n, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje të Teun Koopmeiners. Edhe Fabio Miretti iu afrua golit, por portieri Maduka Okoye mbajti në lojë vendasit me një pritje vendimtare.
Në fund, përpjekjet e Udineses dhe disa aksione të Nicolò Zaniolos nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e ndeshjes. Juventusi siguroi tri pikë shumë të vlefshme dhe e mbylli të shtunën në vendin e katërt, duke pritur me interes rezultatin e sfidës mes Comos dhe Romës. Ndërkohë, Udinese mbetet me 36 pikë dhe jashtë dhjetëshes së parë në renditje.