Ribaj shpjegon penalltitë e humbura dhe ndërrimet: Shkoi Bolzan me Markun, vendos lojtari që ndihet gati

Pas humbjes 2-1 ndaj Elbasanit, drejtori sportiv i Flamurtarit, Andi Ribaj, foli për episodet që vendosën sfidën dhe penalltitë e humbura. Kuqezinjtë aktualisht ndodhen në fund të tabelës dhe janë të rrezikuar për rënien nga kategoria.

“Çdo ndeshje vendoset nga episodet. Po të shënonim penalltinë kur loja ishte 1-0, gjithçka do të kishte ndryshuar. Para stërvitjes, lojtarët kanë goditur penallti si gjithmonë. Kush ndihet më i gatshëm, shkon për ta goditur. Kështu shkoi Bolzan me Markun, ai ndjeu që ishte gati, por e humbi. Futbolli është i tillë,” tha Ribaj.

Ai foli edhe për ndërrimet dhe taktikat: “Për Markun e kishim menduar më përpara, po luante mirë në pjesën e parë, menduam ta freskonim mesfushën sepse Elbasani ka lojtarë me kualitet. Maksutin e kemi lënë nga krahu i djathtë, sepse në të majtin kemi Trashin që kroson. Duhej të kishim më shumë lojtarë brenda zonës për të qenë më efikasë.”

Ribaj theksoi rëndësinë e psikologjisë dhe fokusin në objektiv: “Pas një humbjeje brenda me Elbasanin nuk duhet të ishte kështu. Do mundohemi gjatë javës të mbajmë djemtë e karikuar dhe të shkojmë në Ballsh për një rezultat pozitiv. Unë bëj punën time dhe jam i fokusuar vetëm te puna për të arritur objektivin e Flamurtarit.”