Gvozdenovic: Janaçek e ka mbyllur sezonin, por Elbasani di të menaxhojë presionin e kryesuesit

Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, shfaqi kënaqësi të madhe pas fitores 2-1 në transfertë ndaj Flamurtarit. Në prononcimin pas takimit, tekniku serb theksoi rëndësinë e triumfit dhe përgatitjen për një ndeshje të tensionuar:

“Ishte fitorja e tretë radhazi dhe e dyta në kampionat, jam shumë i kënaqur dhe krenar për çunat. Atmosfera këtu në Vlorë është zjarr dhe e prisja një lojë me nerva. Rëndësi kanë 3 pikët, jemi në vend të parë bashkë me Vllazninë. Faza e katërt ka nisur mirë, është shumë e rëndësishme dhe e fortë.”

Gvozdenovic dha lajmin e keq për portierin Janaçek: “Janaçek është keq, çfarë dëgjova nga doktorët, me shumë mundësi e ka mbyllur sezonin, por do presim pak për konfirmim.”

Ai komentoi gjithashtu performancën e lojtarëve: “Boje ka cilësi të forta pa top dhe në sulm. Kasa, i aktivizuar më parë si anësor, tani luan në të majtë të mbrojtjes dhe sot tregoi që ishte gati. Akoma kemi shumë ndeshje për të fituar minuta dhe formë.”

Tekniku serb vlerësoi edhe menaxhimin e presionit: “Flamurtari është shumë i fortë në Vlorë, nuk është kollaj të fitosh këtu. Është hera e katërt që jemi në vend të parë, ka presion, por dimë si ta menaxhojmë nervat dhe lojën. Ka edhe 8 javë përpara, do të luftojmë dhe do të shohim nëse vazhdojmë kështu.”