Celularët në duart e SPAK/ Mbi 3 mijë u përgjuan vitin e kaluar, 503 'u zbërthyen', po telefoni i Ramës?

Në raportin e SPAK evidentohet se gjatë vitit 2025 janë përgjuar  3004 telefona celularë/numra telefonikë.  Metoda është përdorur në 186 procedime penale, nga këto, disa procedime janë finalizuar me masa të ndryshme sigurimi nga Gjykata.

Gjithashtu mbi të dhënat e interceptimit jashtë objektit të hetimit, është mundësuar regjistrimi i procedimeve penale kryesisht.

Në raport evidentohen 252 Autorizime të Prokurorit për lejim përgjimi.

1738 Vendime të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nga të cilat, 1130 janë vendime zgjatjeje për lejimin e përgjimit.

Në një pasqyrë përmbledhëse të procedimeve penale për të cilat është kërkuar përgjimi telefonik, vihet re që ka një rritje në 2025 krahasuar me vitin 2024.

Në raportin vjetor mësohet se 503 telefona celular tablet, i janë nënshtruar ekspertizës, një shifër pak më e ulët se ajo e vitit 2024 kur I janë nënshtruar ekserptizë 553 telefona.

Zbërthimi i aparateve celularë ka qenë vendimtar për sigurimin e provave në dosjet hetimore edhe ndaj zyrtarëve të lartë.

Kujtojmë se për ish zv/kryeministren Belinda Balluku akuzat dolën në dritë kur SPAK po hetonte pretendime për korrupsion dhe pastrim parash ndaj kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili u arrestua në vitin 2024. Në telefonin e Berberit u zbuluan biseda që dyshohet se e komprometonin me Ballukun lidhur me prokurimet për projektin e Tunelit të Llogarasë.

Përgjimi i bisedave të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj të bëra në burgun e Durrësit nxorrën në dritë si Veliaj kërkonte të mbante lart presionin ndaj prokurorisë dhe gjykatës përpara dhënies së masës së sigurisë nga gjykata e Apelit.

Ndërkohë  dy ditë pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj (10 shkurt 2025)  kryeministri Edi Rama i çoi një mesazh SPAK“Mos bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, se gjithë telefonët e botës i kanë mbledhur atje”.

Pyetja ende pa përgjigje është: Po telefoni i kryeministrit?