Masakra nga djegia e gomave - Tymi i zi mbulon Lezhë–Milot, deputeti Gjoni: Situata e përsëritur, institucionet heshtin
Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka denoncuar përmes një videoje masakrën mjedisore në superstradën Lezhë–Milot, pranë urës mbi lumin Lumi Mat sot pasdite.
Shtëllunga të dendura tymi të zi kanë mbuluar rrugën, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke krijuar rrezik për drejtuesit e mjeteve.
Shkak i situatës është djegia e gomave të përdorura, të cilat hidhen pranë brigjeve të lumit dhe më pas u vihet flaka, duke përhapur ndotje të rëndë në të gjithë zonën.
Ai thotë se situata përsëritet prej kohësh, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin përballë këtij skandali mjedisor dhe ndotjes që po i bëhet zonës.
Reagimi i plotë i Gjin Gjonit:
Kjo është pamja pasditen e kësaj të shtune në superstradën Lezhë–Milot, pranë urës mbi lumin Mat, ku shtellunga të dendura tymi të zi kane mbuluar rrugën dhe vështirësuar qarkullimin e automjeteve.Shkak është djegia e gomave të përdorura që hidhen pranë brigjeve të lumit dhe më pas u vihet flaka, duke mbuluar gjithë zonën me ndotje të rëndë dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Në mes të ditës, pa asnjë kontroll, në brigjet e lumit hidhen inerte dhe mbetje nga më të ndryshmet, duke e kthyer këtë zonë në një vendgrumbullim të hapur mbetjesh.
Situata përsëritet prej kohësh, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të heshtin përballë këtij skandali mjedisor dhe ndotjes që po i bëhet zonës.
Kjo është panorama më e shëmtuar që i ofrohet Lezhës pikërisht në prag të sezonit turistik, kur qyteti dhe bregdeti ynë duhet të mirëpresin vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe jashtë saj.
Lezha nuk mund të trajtohet kështu. Ku janë institucionet mjedisore? Ku është shteti për të ndalur këtë ndotje dhe këtë abuzim me lumin dhe mjedisin?