Barazim dramatik në ‘Bay Arena’, Bayerni i Mynihut shmang humbjen me 9 lojtarë në fushë
Ndeshja e Bundesligës mes Bayer Leverkusenit dhe Bayernit të Mynihut përfundoi në barazim 1-1 në “BayArena”, në një sfidë me shumë episode të rëndësishme dhe dy kartonë të kuq për bavarezët.
Leverkusen kaloi në avantazh shumë shpejt, në minutën e 6-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë të nisur nga Patrik Schick, topi përfundoi te Aleix García, goditja e të cilit u devijua nga Jonathan Tah dhe përfundoi në rrjetë, duke befasuar portierin Sven Ulreich për rezultatin 1-0.
Bayerni pati disa raste për barazim. Jonathan Tah shënoi në portën e ish-skuadrës së tij, por goli u anulua për prekje të topit me dorë. Më pas Nicolas Jackson u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj Martin Terrier, duke lënë bavarezët me 10 lojtarë.
Në pjesën e dytë, Luis Díaz pati një mundësi të mirë për të barazuar, por rrëshqiti në momentin vendimtar. Nga ana tjetër, Leverkuseni ishte pranë golit të dytë: Malik Tillman gjuajti ngushtë jashtë, ndërsa Patrik Schick u ndal nga ndërhyrja vendimtare e Ulreich.
Në minutën e 69-të erdhi barazimi i Bayernit. Michael Olise përfitoi nga një gabim i Robert Andrich dhe shërbeu për Luis Díaz, i cili realizoi me një goditje të saktë për 1-1.
Në fund të ndeshjes, Bayerni mbeti me nëntë lojtarë pasi Díaz u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për simulim. Leverkuseni ishte pranë fitores në minutat e fundit, por Ulreich ndali goditjet e Ibrahim Maza dhe Tillman, ndërsa një gol i Jonas Hofmann u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.