Tirana mposht Bylisin dhe rrit optimizmim për mbijetesë
Tirana arriti një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur me rezultatin minimal 1-0 ekipin e Bylisit. Tri pikët e fituara janë jetike për bardheblutë, por skuadra e drejtuar nga trajneri Orges Shehi ka ende shumë punë për të bërë deri në fund të kampionatit, pasi vazhdon të mbetet në zonën e ftohtë të renditjes me 24 pikë.
Pjesa e parë ishte e balancuar dhe pa raste të shumta të pastra shënimi. Loja u ndez më shumë në fraksionin e dytë, ku të dyja skuadrat kërkuan golin që do të zhbllokonte sfidën.
Rasti më i mirë për Bylisin erdhi në minutën e 57-të. Pas një aksioni të shpejtë të nisur nga Pedro, topi kaloi te Olavio dhe më pas te Kamara, i cili gjuajti drejt portës, por sfera u ndal nga shtylla e portës së mbrojtur nga Bekaj, duke shpëtuar Tiranën nga pësimi i golit.
Momenti vendimtar i ndeshjes erdhi në minutën e 67-të. Bardheblutë fituan topin në mesfushë dhe nisën një kundërsulm të shpejtë. Alvarez shërbeu për Tabekun, i cili nga hyrja e zonës lëshoi një goditje të saktë që mposhti portierin Ozols dhe i dha avantazhin Tiranës.
Pas golit, Tirana pati edhe disa mundësi të tjera për të dyfishuar shifrat. Në minutën e 73-të, Falaje provoi me një goditje në shtyllën e parë, por Ozols reagoi mirë. Ndërsa në minutën e 84-t, i njëjti lojtar u nis në kundërsulm, por gaboi në momentin vendimtar duke mos pasuar për shokët e skuadrës.
Edhe Bylisi tentoi të reagojë në minutat e fundit, por pa sukses. Përgjoni pati një mundësi të mirë me kokë pas një goditjeje dënimi në minutën e 81-të, por topi përfundoi shumë lart mbi portë.
Në fund, Tirana festoi një fitore shumë të rëndësishme që mban gjallë shpresat për qëndrimin në elitën e futbollit shqiptar.