Lajm i madh për Barcelonën, Gavi i gatshëm për lojë pas 197 ditësh mungesë

Mesfushori i Barcelonës, Gavi, ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor për t’u rikthyer në fushë, pas një periudhe të gjatë rikuperimi nga një dëmtim i rëndë në gju. Futbollisti spanjoll është shëruar plotësisht nga operacioni në meniskun e gjurit të djathtë, duke i dhënë fund një mungese që zgjati plot 197 ditë.

Gavi e kishte zhvilluar ndeshjen e fundit më 23 gusht 2025, në përballjen kundër Levantes, e vlefshme për javën e dytë të LaLiga-s. Pak kohë më pas, gjatë një seance stërvitore, ai pësoi dëmtimin serioz që e detyroi t’i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale dhe të qëndronte jashtë fushave për disa muaj.

Mesfushori 21-vjeçar iu bashkua sërish stërvitjeve me ekipin më 20 shkurt, duke qenë pranë skuadrës edhe në udhëtimin drejt Newcastle për një ndeshje të UEFA Champions League, edhe pse në atë moment ende nuk kishte marrë lejen mjekësore për të luajtur.

Tashmë gjithçka ka ndryshuar dhe Gavi është gati të rikthehet në fushë. Ai pritet të jetë pjesë e listës së lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen e së dielës kundër Sevilla-s në “Camp Nou”, ku mund të marrë edhe minutat e para pas rikuperimit.

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka theksuar se rikthimi i mesfushorit do të menaxhohet me shumë kujdes, duke pasur parasysh kohën e gjatë që ai ka kaluar larg fushës së blertë. Gjithsesi, rikthimi i Gav-it konsiderohet një lajm shumë pozitiv për skuadrën katalanase në këtë fazë të sezonit.