Rakitic zbulon të ardhmen e Modric-it: Do të qëndrojë te Milani, mund të luajë edhe 2-3 vite

Mesfushori kroat Luka Modrić pritet që brenda pak javësh t’i komunikojë klubit të Milanit vendimin përfundimtar lidhur me të ardhmen e tij. Megjithatë, një ide më të qartë për planet e veteranit duket se e ka dhënë bashkëkombësi dhe miku i tij i ngushtë, Ivan Rakitić.

Ish-mesfushori i Kroacisë, në një intervistë për ‘La Gazzetta dello Sport’, ka zbuluar se Modric nuk ka ndër mend të ndalet së shpejti dhe se synon të vazhdojë karrierën në nivel të lartë edhe për disa vite të tjera.

“Një tjetër vit te Milani? Vetëm një?” – ka thënë Rakitiçi me një ton disi ironik. “Sipas mënyrës si e shoh unë, Luka mund të vazhdojë të luajë të paktën edhe dy ose tri sezone të tjera. Ai është ende në formë shumë të mirë dhe futbolli i tij nuk varet vetëm nga fiziku, por mbi të gjitha nga inteligjenca në fushë.”

Deklarata e 37-vjeçarit kroat ka shtuar edhe më shumë optimizmin te tifozët kuqezi, të cilët shpresojnë që Modric të vazhdojë të jetë pjesë e projektit të skuadrës së drejtuar nga trajneri Massimiliano Allegri. Pavarësisht moshës, mesfushori kroat vazhdon të tregojë cilësi të jashtëzakonshme në organizimin e lojës dhe në ritmin që i jep ekipit në mesfushë.

Përvojë, qetësi dhe vizion, këto janë elementet që e kanë bërë Modric një nga mesfushorët më të respektuar të futbollit modern. Nëse parashikimi i Rakitiç-it rezulton i saktë, tifozët e Milanit do të kenë mundësinë të shijojnë klasën e tij në “San Siro” edhe për disa vite të tjera.