SYRI TV/ Ndarja e mbretëreshave brenda koshereve - Muskaj: hap drejt moderizimit të bletarisë
Në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, u zhvillua një aktivitet i veçantë, pasi për herë të parë në Shqipëri, u bë ndarje artificiale e mbretëreshave, që shtojnë zgjojet e bletëve. Eksperimenti i nisur një vit më parë u bë në bletarinë Muskaj, ku sipas ekspertëve të fushës ky shënon një hap të rëndësishëm për modernizimin e bletarisë.
Syri TV
Bletaria shqiptare hyn në një fazë të re, pasi për herë të parë në vend bëhet ndarja artificiale e mbretëreshave të reja me qëllim shumimin e zgjojeve. Eksperimenti i nisur rreth një vit më parë, u finalizua në një park bletësh në qytetin antik të Apolonisë.
Ferdinand Muskaj, një nga bletarët e vjetër të qarkut të Fierit, tregon detaje nga eksperimenti, që sipas tij i hap rrugë një zhvillimi të ri në sektorin e bletarisë.
Ky eksperiment u zhvillua në bashkëpunim me bletarin Luan Merdandaj, i cili sjell eksperiencën nga Greqia dhe Britania e Madhe, për ndarjen e mbretëreshave dhe qumështin e bletëve.
Sipas bletarit Ferdinand Muskaj, ky është një hap i rëndësishëm për zhvillimin e bletarisë moderne në vend dhe për përmirësimin e prodhimit të kolonive të bletëve, ndërsa për zhvillimin e këtij sektori kërkohet më shumë vëmendje dhe mbështetje nga shteti, pasi Shqipëria ofron kushte të favorshme për zhvillimin e bletarisë.