SYRI TV/ Prodhimet e fermerëve në juglindje mbeten stok në fusha dhe magazina

Fermerët e juglindjes po kalojnë një situatë tepër të vështirë, teksa shumica e prodhimeve të tyre u ka mbetur stok në fusha ose magazina. Fermerët shprehen se kostot për mbjelljen janë rritur, ndërsa çmimet me të cilat shiten produktet janë të ulëta. Si pasojë, numri i fermerëve në këto zona po bie nga viti në vit, duke parë si mundësi emigrimin.

Syri TV

Situata për fermerët në juglindje vijon të mbetet e vështirë. Edhe pse çdo vit punojnë tokën dhe investojnë në prodhimin bujqësor, shumë prej tyre thonë se nuk arrijnë të sigurojnë fitim nga mundi i tyre. Qindra kuintalë qepë kanë mbetur stok në fshatin Pirg, Leminot dhe Zvirinë. Jashtë kamerave fermerët tregojnë vështirësitë, ndërsa banorët e tjerë shohin se një pjesë e prodhimit është kalbur e hidhet në lumenj pa mundur të shitet.

Edhe në Plasë situata vijon të jetë po e njëjtë, me fermerë më të paktë dhe prodhim që nuk gjen treg. Ata shprehen se kostot për mbjelljen janë rritur, ndërsa çmimet me të cilat shiten produktet janë të ulëta. Në të njëjtën kohë, mallrat e importuara nga jashtë po e bëjnë edhe më të vështirë konkurrencën për prodhimin vendas.

Si pasojë, numri i fermerëve në këto zona po bie nga viti në vit, duke parë si mundësi emigrimin. Shumë prej tyre po heqin dorë nga bujqësia, pasi thonë se puna në tokë nuk po u siguron më të ardhura të mjaftueshme për të jetuar.