SYRI TV/ Berisha uron nga Elbasani Ditën e Verës: Hera e parë që na mbyllen dyert e BE

Lideri i opozitës, Sali Berisha, uroi nga Elbasani festën e Ditës së Verës, ku iu rezervua një pritje entuziaste nga qytetarët. Berisha tha se për herë të parë kjo ditë i gjen shqiptarët me dyer të mbyllura nga BE për shkak të skandaleve Rama-Balluku, duke paralajmëruar këta të fundit se nuk kanë të ardhme. Berisha u ndal në takime me qytetarët dhe familjet elbasanase, ku tha se Dita e Verës është ditë e ndryshimit dhe se vitin tjetër shqiptarët do të jenë më afër ëndrrës europiane.

Siç është bërë traditë, lideri i opozitës Sali Berisha vizitoi Elbasanin për Ditën e Verës, kryeqendrën e festimeve të 14 marsit, aty ku qytetarët i rezervuan një pritje entuziaste.

Berisha uroi shqiptarët për një verë të begatë, ndërsa nuk munguan as mesazhet politike. Lideri demokrat tha se për herë të parë kjo ditë i gjen qytetarët me dyert e mbyllura nga BE, ndërsa akuzoi kreun e qeverisë, Edi Rama, dhe ish-zv.kryeministren Belinda Balluku se nuk kanë të ardhme.

Gjatë vizitës në Elbasan, i shoqëruar nga deputetët e qarkut, përfaqësues të lartë të PD-së dhe simpatizantë, Berisha u ndal në takime me qytetarë, duke përshkuar panairin e organizuar në qytet.

Berisha zhvilloi edhe një takim kafeje me familjet elbasanase, nga ku deklaroi se Dita e Verës është ditë e ndryshimit, me urimin që vitin tjetër shqiptarët do të jenë më afër ëndrrës së tyre europiane.

Në largim, Berisha u ndal në takime përshëndetëse me qytetarë që zgjodhën Elbasanin për të festuar 14 marsin. Berisha e cilësoi Elbasanin kryeqytetin e vërtetë të festës dhe të kombit, që dëshmon shpresën.