Bombardimi i ishullit Kharg/ Pasojat që do ketë në Iran dhe në mbarë botën

Nga Marcel Auermann, BILD

Ishulli Kharg, shumë i rëndësishëm për eksportin e naftës së Iranit, është bërë epiqendra e një përplasjeje dramatike për pushtet në Gjirin Persik.

Donald Trump deklaroi se ka urdhëruar bombardimin e objektivave ushtarake në ishull – dhe tani po e paraqet atë si një nga sulmet më të forta në rajon.

Sipas tij, Komanda Qendrore amerikane, me urdhër të tij, ka kryer një nga bombardimet më të fuqishme në historinë e Lindjes së Mesme dhe ka shkatërruar plotësisht çdo objektiv ushtarak në ishullin Kharg. Këtë ai e shkroi në platformën e tij Truth Social.

Megjithëse ishulli është zemra e industrisë së naftës së Iranit, Trump tha se depot e naftës fillimisht nuk janë prekur. Por ai bëri menjëherë një kërcënim: “Nëse Irani, ose kushdo tjetër, përpiqet të pengojë kalimin e lirë dhe të sigurt të anijeve nëpër ngushticën e Hormuzit, do ta rishqyrtoj menjëherë këtë vendim”.

Analisti Mohammed Soliman nga ‘Instituti për Lindjen e Mesme’ i tha gazetës ‘New York Post’: “Humbja e Kharg-ut, edhe vetëm për disa javë, do të shkaktojë në Iran njëkohësisht një krizë sigurie dhe një krizë shoqërore. Teherani mund të mos dijë cilën krizë të përballojë më parë”.

“Po të çaktivizosh infrastrukturën e Kharg-ut, heq nga tregu rreth dy milionë fuçi naftë në ditë”, tha Dan Pickering nga ‘Pickering Energy Partners’ për agjencinë Reuters. Një ndërprerje e tillë mund të ketë pasoja të mëdha për tregun global të naftës.

Edhe analisti Patrick De Haan nga ‘GasBuddy’ shprehu shqetësim: “Irani ka më pak për të humbur dhe situata duket se po përshkallëzohet”.

Nëse presioni mbi Teheranin rritet, ekziston rreziku që vendi të kundërpërgjigjet.

Ndërkohë, Kharg është një nyje thelbësore e biznesit iranian të naftës: rreth 90% e eksporteve kalojnë përmes këtij ishulli. Ai ndodhet rreth 26 kilometra nga bregu iranian dhe rreth 483 kilometra në veriperëndim të ngushticës së Hormuzit – një nga arteriet më të rëndësishme të naftës në botë. Përmes kësaj ngushtice kalon rreth një e pesta e tregtisë globale të naftës.

Ujërat rreth Kharg-ut janë mjaftueshëm të thella për super-cisterna gjigante, të cilët nuk mund t’i afrohen brigjeve të cekëta të Iranit në kontinent – një arsye tjetër pse ishulli është strategjikisht kaq i rëndësishëm.

Një pjesë e madhe e naftës së ngarkuar atje përfundon në Kinë, importuesi më i madh i naftës së papërpunuar në botë. Sipas të dhënave të kompanisë së gjurmimit të cisternave, Kpler, nafta iraniane përbën këtë vit 11.6% të importeve detare të Kinës.

Pavarësisht konfliktit, eksportet vazhdojnë: sipas TankerTracker.com dhe Kpler, Irani eksporton ende midis 1.1 dhe 1.5 milionë fuçi naftë në ditë.

Irani është prodhuesi i tretë më i madh i OPEC dhe mbulon rreth 4.5% të kërkesës botërore për naftë. Prodhimi arrin rreth 3.3 milionë fuçi naftë të papërpunuar në ditë, plus rreth 1.3 milionë fuçi kondensat dhe lëngje të tjera.