Udhëheqësit e NATO-s thirrje Trump të tërheqë pezullimin e sanksioneve ruse për naftën

Udhëheqësit e Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë po i bëjnë thirrje Trump të rishqyrtojë pezullimin e sanksioneve ruse për naftën. Në komentet për Euronews, Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha se është "i shqetësuar" për ndikimin e mundshëm në Ukrainë.

Kancelari gjerman Frederich Merz tha të premten se gjashtë nga shtatë vendet e G7 ishin kundër vendimit të SHBA-së për t'i dhënë Rusisë një lehtësim nga sanksionet e naftës. Presidenti i SHBA-së Donald Trump e ndërmori këtë veprim me qëllim rritjen e furnizimit global mes çmimeve në rritje, të cilat erdhën si pasojë e luftës SHBA-Izrael që nisi kundër Iranit më 28 shkurt.

Udhëheqësit e Gjermanisë, Kanadasë dhe Norvegjisë - të gjitha shtete anëtare të NATO-s - thanë se do të përdorin kanalet e tyre të komunikimit me Shtëpinë e Bardhë për të provuar të ndryshojnë mendjen e Trump.

Treshja përsëriti qëndrimin e aleancës se presioni maksimal duhet të ushtrohet mbi Kremlinin, për shkak të luftës në Ukrainë dhe kërcënimit më të gjerë ndaj sigurisë globale.

“Gjashtë nga shtatë ishin qartësisht të mendimit se nuk duhet t’i heqim sanksionet kundër Rusisë”, tha Merz.

«U habitëm pak kur dëgjuam këtë mëngjes se qeveria amerikane vendosi ndryshe», u tha ai gazetarëve në një konferencë për shtyp në Norvegji.

Të tre udhëheqësit ranë dakord që presioni maksimal duhet të vazhdojë të ushtrohet mbi Kremlinin për shkak të pushtimit të plotë të Ukrainës, dhe kërkuan që Rusia të mos përfitojë nga një rikthim në tregjet globale të naftës.

Vendimi “nuk duhet të jetë i tillë sepse Rusia po përfiton nga kjo”, këmbënguli Merz.

“Ne duhet të ushtrojmë më shumë presion mbi Rusinë që kjo luftë e tmerrshme të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe kjo është arsyeja pse kemi një pikëpamje të ndryshme për këtë vendim që u mor në [Uashington] DC mbrëmë”, tha ai.

I pyetur në konferencën për shtyp nëse vendet e G7 ose NATO do të lobojnë te Trump që të rishikojë vendimin e tij, kryeministri kanadez Mark Carney tha se “të gjithë kemi linja të drejtpërdrejta me presidentin dhe do t’i përdorim ato”.

Merz tha se do të fliste me Presidentin Francez Macron për të parë nëse mund të gjejnë një rrugëdalje nga plani i Trump: “Do të kemi mundësinë të flasim me njëri-tjetrin gjatë fundjavës. Dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë.”

Stërvitja ushtarake Arctic Sentry

Treshja ishte në një vizitë zyrtare për të qenë dëshmitare e stërvitjes ushtarake të NATO-s “Arctic Sentry”, e cila u miratua janarin e këtij viti si pjesë e rezolutës ndaj pretendimit të Trump se ai do të “merrte” Groenlandën.

Aleanca ra dakord të rrisë praninë e NATO-s në rajon pasi Trump këmbënguli se nuk posedonte arkitekturë të mjaftueshme sigurie.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, mori pjesë gjithashtu në shfaqjen ushtarake, e cila përbëhej nga disa tanke gjermane Leopard dhe automjete luftarake të këmbësorisë norvegjeze.

Pistorius i tha Euronews se është “shumë i shqetësuar” në lidhje me ndikimin në luftën në Ukrainë nëse Rusia rifiton aksesin në të ardhurat nga nafta, gjë që mund t’i japë asaj një avantazh të rëndësishëm në mbështetjen e pushtimit të saj të kushtueshëm.

“E vetmja gjë në fund për ta detyruar vërtet Putinin të ulet në tryezën e negociatave është ta bëjë të qartë se të ardhurat e tij nga eksporti i naftës dhe gazit do të marrin fund”, tha ai.

 “Kjo është e kundërta e kësaj. Është thjesht një disavantazh i vërtetë [për Ukrainën]”, shtoi ai.

Ndërkohë, Kremlini e përshëndeti veprimin e Shtëpisë së Bardhë, duke thënë se interesat e SHBA-së dhe Rusisë janë të përafërta për këtë çështje. “Ne i shohim veprimet e SHBA-së si një përpjekje për të stabilizuar tregjet e energjisë. Në këtë drejtim, interesat tona përputhen”, tha zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov.

“Dëgjuam deklaratat e përfaqësuesve të SHBA-së se ky përjashtim është bërë me të vërtetë tani për naftën e ngarkuar tashmë para 12 marsit”, tha Peskov./ Euronews.