Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas/ Kreu i ARRSH: Nuk e prisnim! Ra shumë shi dhe nuk kishim ç’bënim!
Për plot 10 ditë, e gjithë zona juglindore e Shqipërisë u bllokua. Rruga nacionale, pjesë e segmentit Librazhd – Prrenjas, u shemb në vendin e quajtur Arrat e Gurës, ndërkohë që autoritetet demontuan urën, çka paralizoi tërësisht kalimin e automjeteve. Qarkullimi u rregullua përmes një by-pass-i të hapur në rrugën paralele, një zgjidhje provizore e improvizuar në emergjencë.
Në gjithë këtë periudhë, opinioni u bombardua me informacion dhe autoritetet u munduan që të duken të shqetësuar për skandalin, i cili nuk është thjesht te shembja e një rruge, sepse rrugët kombëtare, por dhe ato dytësore që lidhin këtë zonë me pjesën tjetër të vendit, po shkërmoqen dita-ditës, duke dëshmuar një të vërtetë të hidhur që shumë kanë zgjedhur të mos e shohin: vjedhjen që i është bërë parave të shtetit me veprat publike.
Paralizimi i një të katërtës së popullsisë që jeton në zonën e juglindjes, por dhe rrugëve tregtare që aksesohen nga bizneset përmes pikave doganore të Qafë-Thanës dhe atyre të Kapshticës, solli një situatë kaotike, pa ditur një datë se kur do të jepet zgjidhje përfundimtare.
Mungesa e përgatitjes institucionale për fatkeqësi natyrore është tashmë një realitet i pranuar. Për tërmetin ndihma erdhi nga vendet fqinje dhe jo nga agjencitë shqiptare. Gjatë pandemisë sërish vaksinat erdhën nga vendet partnere, ndërsa kurimi për shumicën e atyre që patën simptoma të rënda dhe mundësi financiare ishte jashtë shtetit. Edhe në rastin e zjarreve, helikopterët që shuajnë flakët na vijnë sërish nga fqinjët si ndihmë.
Në një prononcim për gazetarin Freard Rista, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, z. Ami Kozeli, tha se reshjet e dendura të shiut në sezonin e dimrit kanë qenë shkaku kryesor i rrëshqitjeve dhe shembjes së rrugës, duke pranuar se kanë zhvilluar monitorime të vazhdueshme, por pa patur mundësi për marrje masash paraprake që do të mund të shmangnin shembjen dhe bllokimin e ¼ të popullsisë së vendit.
Sipas tij situata në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas është stabël dhe nga dita në ditë pritet të bëhet edhe asfaltimi i rrugës.