Kurbin/ 3 vite pritje për asgjë: Si u penalizua familja Marku nga rindërtimi për një shtëpi të dhuruar

Edhe pse kanë kaluar më shumë se gjashtë vite nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, saga e rindërtimit në Kurbin vazhdon të prodhojë raste dramatike të zvarritjes burokratike. Historia e familjes së Zef Markut është dëshmia e gjallë e një "ping-pongu" institucional që përfundoi me skualifikim. Pas tre vitesh kërkesa zyrtare dhe premtime për rishqyrtim, Bashkia e Kurbinit ka vendosur më 6 mars 2026 ta përjashtojë këtë familje nga programi i rindërtimit. Sipas raportit të komisionit të posaçëm, Zef Marku nuk gëzon statusin e të pastrehut, pasi në vitin 2021 i është dhuruar një banesë tjetër në Gramëz të Krujës, fakt ky që u përdor si penalizim, pavarësisht se shtëpia në Laç zotërohej me certifikatë pronësie që prej vitit 2011.

Përplasja mes familjes dhe bashkisë u përqendrua te interpretimi i ligjit: ndërsa Bashkia pretendonte se familja kishte vendbanim tjetër në momentin e tërmetit, Ministria e Infrastrukturës dhe ajo e Drejtësisë ia lanë topin institucionit lokal për të vendosur. Anëtarët e komisionit të rindërtimit në Kurbin pranuan hapur vështirësitë në interpretim, duke deklaruar se nuk mund të merrnin vendime që mund t'i penalizonin ata vetë para prokurorisë. Ky ngërç ligjor e la familjen Marku mes dy zjarreve, deri në vendimin përfundimtar të skualifikimit pak para hedhjes së shortit për pallatet e reja. I gjendur para kësaj situate, Julvin Marku, djali i zotit Zef Marku, shprehet se rruga e vetme mbetet Gjykata, duke insistuar se marrja e një prone pas tërmetit nuk duhet të shuajë të drejtën mbi banesën e parë të shkatërruar.