Barazim pa gola mes Egnatias dhe Vllaznisë, ndeshja shoqërohet me tensione dhe karton të kuq
Egnatia dhe Vllaznia u ndanë në një barazim 0-0 në përballjen e zhvilluar në ‘Egnatia Arena’, një rezultat që ruan statuskuonë në krye të renditjes së kampionatit. Shkodranët vazhdojnë të kryesojnë me 52 pikë, ndërsa rrogozhinasit ndjekin me 50. Ky barazim i jep mundësi Elbasanit të arrijë shkodranët në krye, ndërsa Partizanit të afrohet me dy skuadrat e para.
Rasti i parë i rrezikshëm erdhi që në minutën e 4-t, kur Albanese provoi portën, por portieri Pohls reagoi në kohë duke shpëtuar Vllazninë. Në këtë aksion, anësori sinjalizoi gabimisht pozicion jashtë loje. Në minutën e 15-të ishte sërish Albanese që iu afrua golit, por goditja e tij përfundoi në rrjetën e jashtme të portës.
Në pjesën e dytë nuk munguan polemikat. Në minutën e 59-të lojtarët e Egnatias pretenduan për penallti, duke kërkuar një prekje të topit me dorë nga Gjini brenda zonës, por arbitri vendosi të vazhdonte lojën.
Momenti më i tensionuar i ndeshjes ndodhi në minutën e 71-të. Arbitri Lata ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Xhemajli pas një dueli me sulmuesin Bekim Balaj. Vendimi shkaktoi reagime të forta nga ana e skuadrës vendase, që madje braktisi fushën për disa minuta në shenjë proteste. Në stadium ishte i pranishëm edhe presidenti i Federata Shqiptare e Futbollit, Armand Duka.
Pas konsultimit me VAR-in, arbitri Lata shkoi te monitori për të rishikuar episodin, por vendosi të konfirmojë kartonin e kuq për mbrojtësin e Egnatias. Situata u shoqërua me tensione dhe përplasje mes futbollistëve dhe stafeve, ndërsa me karton të kuq u ndëshkua edhe trajneri Edlir Tetova.
Pas rreth shtatë minutash protestë, lojtarët e Egnatias u rikthyen në fushë dhe ndeshja vazhdoi deri në fund pa ndryshuar rezultati.