Meta: Rama, peng i grupeve kriminale. Mosdorëzimi i Ballukut godet themelet e shtetit të së drejtës

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një intervistë ekskluzive për SYRI.net, ka reaguar në lidhje me votimin e mazhorancës së Edi Ramës për të mos i hequr imunitetin e Ballukut. Sipas tij, kjo është një goditje për shtetin e së drejtësi.

Sipas Metës, Edi Rama është peng i bandave kriminale në Shqipëri, prandaj dhe sillet kështu.

Pjesë nga intervista e presidentit të PL, Ilir Meta:

Pyetje: Z. Meta, si e gjykoni vendimin e djeshëm të shumicës socialiste për bllokimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Znj. Balluku?

Si fillimin e vetëdenoncimit publik të Edi Ramës, si armiku i drejtësisë, por edhe pengmarrësi i saj, që nga zgjedhja antikushtetuese me 69 vota e Prokurores së Përgjithshme dhe deri dje.

Pra drejtësia ishte “e shkëlqyer” derisa zbatonte direktivat politike të Edi Ramës nga tribuna e Asamblesë rilindase për të arrestuar Berishën dhe Metën, që ky ta kishte fushën bosh.

Po kështu, drejtëisa ishte e pranueshme për aq kohë sa “godiste” në marrëveshje me Ramën bashkëpunëtorë të tij për çështje anësore ose sekondare me qëllim prodhimin e statistikave për të balancuar persekutimin e paligjshëm të drejtuesve dhe përfaqësuesve të opozitës, si Berisha, Meta, Mediu, Beleri, Salianji apo edhe Bardh Spahia, që thirrej çdo javë para zgjedhjeve në SPAK, për një çështje fare ordinere, ndërsa i pandehuri Benet Beci, drekonte me prokurorë të SPAK.

Por në momentin, që më shumë nga halli se nga vullneti i drejtësisë, i mbetën në dorë patatet e nxehta të AKSHI-t dhe Zv/Kryeministres, ky u kujtua për degradimin e situatës me paraburgimet dhe i vuri kufirin te thana hetimit “inkuizitor”, që bazohej në gjyqet publike para atyre juridike apo te shpallja e fajtorëve bazuar mbi “thashetheme” telefonash.

U kujtua me ndihmën e Hulsiut se Prof. Stavri Çeço, që unë personalisht kam patur nderin ta kem pedagog, paska thënë se kur prokurorët nuk kanë prova mbushin faqe të tëra me muhabete e trillime për të dënuar viktimat.

Dhe ka të drejtë se për të marrë të pandehur Edi Ramën, do mjaftonte vetëm akti zyrtar me firmën e tij ku shpalli fituese me 8% kompaninë e inceneratorëve, që nuk ishte krijuar akoma.

Ose për të vënë para përgjegjësisë penale Z. Veliaj do mjaftonte akti që ai firmosur para 9 vitesh duke shpërdoruar detyrën dhe përvetësuar kompetencat e Këshillit Bashkiak të Tiranës, për të futur në borxh qytetarët e të gjithë Qarkut të Tiranës për të paguar dhe sot e kësaj dite inceneratorin që nuk ekziston (përveçse në 3D).

Por arkitekti i kësaj afere është vetë Edi Rama, ndaj duheshin mbushur kamiona me fashikuj për Veliajn për çështje anësore e sekondare.

I përmend këto 2 akte se jo vetëm janë shumë të thjeshta për t’u kuptuar edhe nga analfabetë, por mos-hetimi i tyre përveçse thellon çdo ditë dëmin e interesit publik, ka goditur rëndë parimin dhe ndjenjën e ligjshmërisë dhe përgjegjësisë të çdo zyrtari të shtetit.

Pyetje: Si e vlerësoni reagimin e ndërkombëtarëve dhe injorimin që Rama u bëri paralajmërimeve të tyre?

Kur flasim për ndërkombëtarë kjo është një çështje shumë komplekse apo dinamike.

Them komplekse se kemi ndërkombëtarë të ndryshëm, me interesa të ndryshme apo peshë specifike të ndryshme në institucionet ndërkombëtare.

Për shembull, Z. Rama ishte mërzitur dje që opozitarët flasin në emër të Gjermanisë.

Në fakt, Gjermania flet në emër të Kritereve të Kopenhagenit, të cilat Rama i urren pasi aot kanë të bëjnë me zgjedhje të ndershme, llogaridhënie, Parlament funksional, ndarje pushtetesh dhe barazi para ligjit.

Nuk është hera e parë që Gjermania i kujton Shqipërisë standardet që duhet të plotësojë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

A nuk e bëri këtë me shumë passion dhe dashamirësi edhe në vitin 2019? I harruam kushtetet e Bundestagut? Apo kushtet e Parlamentit Europian? Mosplotësimi i tyre i qëllimshëm nga Rama vetëm për të kapur çdo pushtet minoi çeljen e negociatave për Shqipërinë në tetor 2019.

Ndryshimet gjeopolitike (lufta në Ukrainë) rikthyen vëmendjen pozitivisht për Shqipërinë.

Ndaj dhe kemi një aktivizim të shtuar pozitiv të Gjermanisë për ta ndihmuar Shqipërinë, por është një minimum standardish që Gjermania (dhe jo vetëm) nuk i tolerojnë dot, jo se nuk na duan ne, por se duan të mbrojnë standardet e tyre.

Të bëhesh pjesë aktive e “China club” është shumë e thjeshtë se mjafton të kesh para dhe të jesh dorëlëshuar. Por të bëhesh pjesë e “klubit” të BE pa çmontuar strukturat kriminale në të gjithë piramidën shtetërore do të thotë të shkatërrosh standardet dhe sigurinë e BE.

Këtë edhe nëse do e pranonin politikanët europianë, nuk do e pranonin qytetarët dhe mediat europiane.

Ju e shihni se veç të tjerash Tirana dhe Shqipëria janë kthyer në një nga bazat logjistike më të rrezikshme, ku përmes kompanive mashtruese (call center) vidhen miliarda euro të qytetarëve italianë, gjermanë, spanjollë, etj.

Kjo ndodh nën mbrojtjen e shtetit dhe policisë. Nuk po flas këtu për përmbytjen e Europës me drogë nga krimi i organizuar shqiptar.

Dihet se në Francë, Belgjikë, Holandë, etj., në zbardhjen e përgjimeve të grupeve kriminale ndërkombëtare gjuha e parë e përdorur është shqiptare dhe as angleze apo italiane.

Duke qenë vendi më i madh i BE dihet që Gjermania mban edhe përgjegjësinë më të madhe për vendimmarrjen edhe pse formalisht është një anëtare e Unionit si Qipro, Luksemburgu apo Estonia.

Por këta i ka kapur sindroma anti-Shtraus.

Dihet e Shtrausi kaloi fare rastësisht përmes Shqipërisë për në Greqi. Por udhëheqësit komunistë e mbajtën me pahir më gjatë. Ai u prek nga mikpritja, bukuria dhe varfëria e Shqipërisë ndaj kur u kthye në Gjermani, hartoi një plan për ta ndihmuar Shqipërinë që të dilte nga mjerimi.

Kur ai u rikthye me një plan të qartë për mbështetjen ekonomike, byroistët i kapi paranoja e nxorrën preteksin se nuk i linte Kushtetuta të merrnin ndihma.

Edhe Edi Ramën tani nuk e lejojnë grupet e gjithëpushtetshme kriminale, që Shqipëria të anëtarësohet në Europë dhe shqiptarët të përfitojnë mirëqënien dhe standardet e merituara në çdo aspekt, që të mos largohen nga vendi.

Ndaj tani fjalën e kanë shqiptarët, përfshirë edhe socialistët e ndershëm dhe patriot, që vuajnë në këtë regjim-bandë, si të tjerët.

Për Gjermaninë dhe Europën është dëm shkatërrimtar të pranojnë një shtet të kriminalizuar në gjirin e tyre.

Por dëmi më katastrofik i pret qytetarët shqiptarë nëse i nënshtrohen këtij regjimi kleptokratik, antieuropian por edhe antishqiptar.

 

Pyetje: Ç’do të thotë për SPAK dhe drejtësinë e re bllokimi i heqjës së imunitetit të Znj. Balluku?

Unë nuk e njoh dosjen Balluku dhe nuk mund të flas për të vetëm nga mediat.

Unë di që jam i pari që pasi kam kaluar në janar 2024 në rrugën e re Korçë-Ersekë, kam paralajmëruar rrezikun e shembjes së saj dhe fatkeqësisht kjo ndodhi një javë më vonë.

Unë shkova prapë atje me Tedi Blushin dhe gazetarët dhe u tmerrova se atje kishte vetëm dhe dhe zhavor e një cipë asphalt.

Nuk pashë atje asnjë prokuror me ekspertë që të fotografonin ato pamje kriminale, që të hetonin nëse ishin zbatuar standardet teknike.

Kohët e fundit kjo situatë është bërë sistemike me gjithë veprat publike të ndërtuara nga Edi Rama, i cili është provuar se i shpall fituesit me mesazhe telefonike.

A është e fajshme apo e pafajshme Znj. Balluku këtë duhet ta provojë gjykata.

Por që Edi Rama, po pengon drejtësinë të hetojë plotësisht, kjo është shumë evidente.

Me sa di unë ekziston një nen për ata që pengojnë drejtësinë.