Aksident në Fier/ Përplasen dy makina, tre persona të plagosur

Një aksident ka ndodhur pak minuta më parë në një rrugë dytësore që lidh zonën e Baltëzës me qytetin e Fier. Sipas informacioneve paraprake nga vendngjarja, një automjet tip Nissan, me drejtues shtetasin Alban Hebeja dhe dy pasagjerë, është përplasur me një automjet tip Audi, që drejtohej nga shtetasi Rrapi Mile. Si pasojë e përplasjes kanë mbetur të plagosur tre persona.

Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të ngjarjes.

Ndërkohë, të plagosurit janë transportuar me mjete të rastit drejt Spitali Rajonal Fier, ku po marrin ndihmën e parë mjekësore. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje në vijim lidhur me gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe dinamikën e aksidentit.