'Sulmon mediat sepse ndjen presionin e skandaleve'/ Bumçi: Nervozizmi i Ramës tregon krizën ku ndodhet qeveria
I ftuar në një intervistë në SYRI TV me gazetarin Arnold Kariqi, anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, deklaroi se konferenca e fundit e kryeministrit Edi Rama tregoi humbje qetësie dhe nervozizëm.
Sipas Bumçit, reagimi i Ramës ndaj gazetarëve dhe sulmet ndaj mediave dëshmojnë se kryeministri “nuk është më i qetë”, pasi sipas tij akuzat për korrupsion dhe lidhje me krimin po afrohen gjithnjë e më shumë pranë qeverisë.
Ai theksoi se Shqipëria për vite me radhë është përballur me korrupsion masiv, kapje të drejtësisë dhe fenomenin që opozita e cilëson si “narkoshtet”, ndërsa shtoi se zhvillimet e fundit dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë kanë krijuar presion politik mbi qeverinë.
Bumçi përmendi gjithashtu çështje si projektet e mëdha publike, përfshirë Portin e Durrësit dhe tunelin e Llogarasë, duke i cilësuar ato si shembuj të korrupsionit të pretenduar në nivelet më të larta të qeverisë.
Sipas tij, reagimet e kryeministrit tregojnë një situatë të vështirë politike, pasi “e vërteta ka dalë në shesh dhe nuk mund të blihet më heshtja”.
Bumçi:
Po, konferenca e sotme është treguesi më i mirë që kryeministri nuk është më i qetë. Dhe arsyeja pse nuk është i qetë është se sheh fundin e tij. Ka bërë gjithçka për të mbuluar rrënimin e Shqipërisë, narkoshtetin, korrupsionin masiv, një vend ku nuk ka më të drejta njeriu, se nuk funksionojnë gjykatat, me 150.000 çështje. Dhe tashmë që akuzat kanë shkuar në paradhomën e tij, kemi zëvendëskryeministren dhe sekretarin e përgjithshëm, të cilët akuzohen, por është i lidhur kryeministri, kokë e këmbë. Ai tashmë nuk është më i qetë dhe këtë e tregoi konferenca e sotme, humbja e qetësisë.
Kërcënimi, mënyra se si u soll me gazetarët dhe me dy media, sepse përmendi dy media të cilat i i atakoi direkt. Pra e gjithë ajo skenë dhe ajo konferencë tregonte një njeri që nuk është më i qetë dhe ka një arsye.
Patjetër ai mundohet që fyrjen, ofendimin apo gjendjen e tij ta kalojë me batutë, por ajo tregonte nervozizëm. Dhe nga i vjen nervozizmi? Nëse gjërat janë mirë, nga i buron? Kush ja shkakton? Ne e dimë çfarë e shkakton, është se për vite të tëra u mbyllën sytë për narkoshtetin, Shqipëria u mbulua me drogë dhe nuk fliste njeri. U kap drejtësia dhe nuk fliste njeri. U shkatërruan zgjedhjet dhe nuk fliste njeri. Dhe vjen një moment që mendon që je i pacënueshëm, i paprekshëm. Mendon se kjo do jetë e përjetshme. Po çfarë kemi parë është se gjërat kanë ndryshuar, lobingjet, korrupsioni, gjithçka që ka përdorur, shitjet e Shqipërisë, qëndrimet ndërkombëtare kundër Shqipërisë dhe Kosovës, të gjitha i ka bërë për karrigen e tij. Vjen një moment që gjërat nuk nuk funksionojnë më. Nuk arrin dot të blesh heshtjen dhe e vërteta ka dalë në shesh. Ka tetë muaj, nëntë muaj që Shtetet e Bashkuara flasin për narkoshtetin, gjë që nuk ja thonte njeri, madje dhe pak muaj më parë zyrtarë nga Brukseli thonin çfarë është ky narkoshtet që ju ngrini, ky është ekzagjerim. Po ja që Shtetet e Bashkuara në çdo takim publikojnë si shqetësim të parë narkoshtetin. E përfshinë dhe në deklaratën e urimit të pavarësisë. Dhe kanë thënë që krimi i organizuar shqiptar është i lidhur me kartelet e drogës në Amerikën Latine.
Kjo cënon sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë. Erdhëm te korrupsioni, ku mbylleshin sytë, flitej për përparim i jashtëzakonshëm, të njëjtët zyrtarë. Disa muaj më parë flisnin për një Shqipëri që ishte pararojë me një përparim të jashtëzakonshëm. Por vjen një moment që nuk mbyllen dot sytë ndaj Akshit, ndaj një korrupsioni si porti i Durrësit, i cili nuk është thjesht korrupsion se merret pasuria më e madhe publike e shqiptarëve, po cënon një korridor strategjik. Pra kemi të bëjmë me një port që i shërben edhe interesave më të gjera strategjike të NATO-s, edhe korridoreve të Bashkimit Europian.
Pra, çështjet mblidhen dhe erdhëm te çështja që u ngrit kundër zëvendëskryeministres Balluku, për tunelin e Llogarasë, por që është pasuruar dhe me tendera të tjerë publik, siç është përmendur unaza e Tiranës dhe të tjerë. Dhe u tha që është test kritik. Nuk është një çështje, kurrë një çështje nuk është test kritik. Por është mbarsja, është përmbytja me këto lajme që vjen një moment dhe vendoset vija e kuqe. Dhe ndodhi ajo që pritej, që Edi Rama nuk mundet, ta lëshojë kaq lehtë karrigen e tij, se bëhet fjalë për karrigen e tij, jo për bashkëpunëtorët. Bashkëpunëtorët, siç e kemi parë, i ka lënë njëri pas tjetrit. Njëri pas tjetrit, po bëhet fjalë për atë.
Nuk mundet që ti të jesh bazë operacionale e krimit të organizuar dhe të bëhet një pastrim masiv i të ardhurave të krimit dhe shteti të jetë në padijeni dhe i papërfshirë. Nuk mundet që në portin e Durrësit ka më shumë se dy vite që nuk kapet, më shumë në fakt, që nuk kapet asnjë kilogram drogë. Këto nuk mund të ndodhin pa përfshirjen direkt të qeverisë dhe kryeministrit. Se ministrat e brendshëm kanë ndryshuar, por situata vetëm është rënduar. Dhe lejet e ndërtimit, koncesionet, të tjera i jep vetë kryeministri, i ka përqëndruar në dorën e tij, ja ka hequr dhe bashkive. Pra, nuk bëhet më fjalë kush e ka krijuar këtë situatë. Çështja është që i eci për vite të tëra nëpërmjet ndërthurjes së krizave ndërkombëtare, përdorimit të Kosovës dhe ndërtimit të një stabiliteti me Serbinë, që mos na prekni mua dhe Vuçiçin, se ne ju ofrojmë stabilitet, gjë që u munduan ta bëjnë dhe me letrën e fundit drejtuar Bashkimit Europian.