Shpërdorim detyre/ Përkrahu kriminelët, tre masa sigurie për policin në Elbasan
Një punonjës policie në Elbasan është vendosur nën masa sigurie me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pasi dyshohet për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme.
Bëhet fjalë për inspektorin me inicialet E.K., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Sipas autoriteteve, ndaj tij janë caktuar tre masa sigurie me karakter ndalues: pezullimi nga ushtrimi i detyrës publike, ndalimi i daljes jashtë vendit dhe detyrimi për t’u paraqitur pranë policisë gjyqësore.
Efektivi dyshohet për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “përkrahje e autorit në krim”.
Sipas AMP-së, efektivi dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Përkrahje e autorit në krim”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 302 të Kodit Penal.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të një procedimi penal të regjistruar gjatë vitit 2025. Nga veprimet hetimore të kryera deri më tani, përfshirë edhe përdorimin e metodave speciale të hetimit, dyshohet se punonjësi i policisë ka shpërdoruar detyrën duke ndihmuar persona me precedent penal në aktivitetin e tyre të kundërligjshëm.