Skandali me ushqimin në Spitalin e Korçës/ Pas publikimit tek 'Piranjat', Prokuroria hap hetim për shpërdorim detyre

Pas një investigimi që hodhi dritë mbi mënyrën se si menaxhohet ushqimi për pacientët në Spitalin Rajonal të Korçës, skandali ka përfunduar tashmë në duart e drejtësisë.

Denoncimi i bërë publik në emisionin investigativ “Piranjat” dhe raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit nxorën në pah dyshime serioze për keqmenaxhim dhe abuzime në shërbimin e ushqimit për pacientët, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi përgjegjësitë e drejtuesve të institucionit.

Pas publikimit të fakteve, Prokuroria e Korçës ka regjistruar një procedim penal për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe ka urdhëruar një sërë veprimesh hetimore për të verifikuar dokumentacionin dhe për të identifikuar personat përgjegjës.

Njoftimi: 

Problematika në menaxhimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal, Prokuroria Korçë nis hetimet për ‘Shpërdorim detyre’

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka regjistruar kryesisht procedim penal për veprën penale ‘Shpërdorim i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal mbi bazën e informacioneve të publikuara në median online dhe në emisionin investigativ “Piranjat”, në lidhje me problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët në Spitalin Rajonal Korçë.

Procedimi penal u regjistrua pas publikimit të materialit investigativ më datë 11.03.2026, ku referohen gjetje të raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, sipas të cilit uevidentuan problematika në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit të ushqimit për pacientët.

Në kuadër të këtij procedimi penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, urdhëroi kryerjen e një sërë veprimesh hetimore nga ana e oficerëve të policisë gjyqësore, me qëllim verifikimin e plotë të rrethanave të paraqitura në materialin e publikuar, administrimin e dokumentacionit përkatës dhe identifikimin e çdo personi që mund të ketë përgjegjësi ligjore në lidhje me këtë çështje.

Hetimet do të kryhen në kuadër të rolit që ka çdo institucion publik lidhur me detyrimet ligjore për garantimin e shëndetit të pacientëve dhe të çdo qytetari të Qarkut Korçë.