Kritika ndaj drejtorit sportiv të Bayern-it, Eberl: dyshime brenda klubit pavarësisht rezultateve
Pavarësisht se kryeson bindshëm kampionatin dhe ka ndërtuar një skuadër shumë konkurruese, drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, po përballet me kritika të forta nga media gjermane dhe me disa dyshime brenda vetë klubit bavarez.
Sipas raportimeve, avantazhi prej 11 pikësh në krye të renditjes dhe një merkato e fuqishme, ku spikasin afrimet e Luis Díaz, Nicolas Jackson dhe Jonathan Tah, nuk kanë qenë të mjaftueshëm për të shuar kritikat ndaj punës së tij.
Megjithatë, vetë Eberl është shprehur se kritikat nuk e shqetësojnë, përkundrazi e motivojnë: “Ato më shtyjnë të tregoj se puna ime dhe e gjithë klubit po jep frytet e veta. Projekti për skuadrën, strukturën e saj dhe kampusin është në rrugën e duhur. Kjo është ajo që ka rëndësi”, u shpreh ai.
Drejtori sportiv theksoi se është mësuar me kritikat që prej momentit kur mori detyrën në klub: “Kritika më rrëshqet. Që kur jam te Bayerni, përqendrohem vetëm te puna ime.”
Megjithatë, sipas mediave gjermane, rinovimi i kontratës së tij, e cila skadon në vitin 2027, nuk është aspak i sigurt. Kritikët e tij theksojnë se disa rinovime kontratash janë konsideruar tepër të kushtueshme dhe disa vendime janë marrë në mënyrë shumë personale.
Nga ana tjetër, Eberl ka edhe merita të rëndësishme: ai ka sjellë në stol trajnerin Vincent Kompany, ka realizuar disa shitje të suksesshme dhe ka integruar disa talente të reja në ekipin e parë të Bayern-it. Tani mbetet për t’u parë nëse rezultatet sportive të këtij sezoni do të mjaftojnë për t’i siguruar atij besimin e plotë të klubit edhe për të ardhmen.