Endrick shkëlqen te Lioni: gol në debutimin e tij në Europa League dhe statistika të jashtëzakonshme

Endrick, talent brazilian 19-vjeçar i Real Madridit, po lë gjurmë të mëdha tel Olympique Lioni. Sulmuesi i huazuar nga spanjollët ka shënuar gol në debutimin e tij në Europa League, duke vulosur barazimin 1-1 ndaj Celta Vigo-s në ndeshjen e parë të 1/8-ve të finales. Ky gol, realizuar në minutën e 87-të, vjen pas paraqitjeve të shquara të Endrick edhe në Ligue 1 dhe Kupën e Francës, ku gjithmonë ka gjetur rrjetën në debutim.

Përveç këtij goli, braziliani ka regjistruar deri tani 6 gola dhe 4 asistime në 11 ndeshje me fanellën e Lionit, duke marrë pjesë në 10 prej golave të ekipit, një statistikë që e tejkalon edhe periudhën e tij në Madrid, ku mundësitë ishin më të limituara për shkak të konkurrencës me ‘yjet’ e tjerë.

Trajneri Paulo Fonseca e ka mbështetur pa rezervë lojtarin e ri, duke theksuar se kritikat e hershme pas eliminimit nga Kupa e Francës dhe paraqitjes jo të mirë ndaj Paris FC ishin të padrejta: “Endrick ka kaluar pothuajse një vit pa luajtur dhe tani është aktiv në pothuajse çdo ndeshje. Është vetëm 19 vjeç. Kur shënon, vlerësohet, kur nuk shënon, kritikat janë shumë të ashpra dhe të padrejta”, tha Fonseca.

Braziliani ka marrë gjithashtu një impuls të madh nga huazimi te Lioni, duke rikuperuar vetëbesimin dhe ritmin e lojës, që i mungonte te Real Madridi. “E dija që do të kisha mundësinë të shënoja. Jam një numër 9: godas, godas dhe godas deri sa të hyjë topi”, tha vetë Endrick pas ndeshjes.

Me këtë formë të jashtëzakonshme, Endrick po afrohet gjithnjë e më shumë me thirrjen e parë për Botërorin nën drejtimin e Carlo Ancelotti-t, duke treguar se potenciali i tij i madh nuk ka ende limite.