Sulmi në sinagogën pranë Detroitit, Trump: Mbështetje për komunitetin hebraik
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, tha sot se Shtëpia e Bardhë po i dërgon mbështetje komunitetit hebraik në shtetin amerikan të Miçiganit pas një sulmi me automjet dhe të shtënave në sinagogën “Temple Israel” në zonën e Detroitit, në të cilin u vra i dyshuari.
“Dua t’i dërgoj dashurinë tonë komunitetit hebraik në Michigan dhe të gjithë njerëzve në zonën e Detroitit pas sulmit në sinagogën hebraike këtë mëngjes”, tha Trump në fillim të fjalimit të tij gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë, sipas CNN.
Duke folur nga Dhoma Lindore e Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se kishte marrë një raport të detajuar mbi ngjarjen.
“Jam plotësisht i informuar dhe është një gjë e tmerrshme, por për fat të keq këto gjëra ndodhin”, tha presidenti amerikan.
Ai shtoi se autoritetet do të kryejnë një hetim të hollësishëm.
Sipas Sherifit të Qarkut Oakland, Michael Bouchard, i dyshuari për sulmin ndaj sinagogës vdiq pasi automjeti i tij u përplas në sinagogë dhe, përveç të dyshuarit, deri më tani nuk është raportuar për të lënduar apo viktima, sipas mediave amerikane që citojnë burime të njohura me hetimin.