Financial Times: Rusia fiton deri në 150 milionë dollarë në ditë nga rritja e çmimeve të naftës
Rusia po përfiton ndjeshëm nga rritja e çmimeve të naftës, duke siguruar deri në 150 milionë dollarë në ditë të ardhura shtesë për buxhetin, çka e bën një nga përfituesit kryesorë të konfliktit në Lindjen e Mesme, shkruan Financial Times.
Sipas raportimit, pavarësisht të ardhurave që mund të vijnë më vonë pas vendimit të Departamentit Amerikan të Thesarit për përjashtim 30-ditor për vendet që duan të blejnë naftë dhe produkte ruse të sanksionuara, të cilat aktualisht janë të bllokuara në det, Moska deri tani ka përfituar mes 1.3 dhe 1.9 miliardë dollarë nga taksat mbi eksportet e naftës.
Rritja e të ardhurave lidhet me mbylljen e ngushticës së Hormuzit, e cila ka shtuar kërkesën për naftë ruse nga tregje të mëdha si India dhe Kina.
Sipas përllogaritjeve të Financial Times, të bazuara në të dhënat e industrisë dhe analizat e ekspertëve, qeveria ruse mund të sigurojë të ardhura shtesë nga 3.3 deri në 4.9 miliardë dollarë deri në fund të marsit.
Ky skenar bazohet në supozimin se çmimi i naftës ruse Urals do të variojë mesatarisht mes 70 dhe 80 dollarë për fuçi gjatë këtij muaji, krahasuar me mesataren e dy muajve të mëparshëm që ishte rreth 52 dollarë për fuçi.
Kjo përbën një ndryshim të fortë për Rusinë, e cila para përshkallëzimit të konfliktit me Iranin po përballej me rënien e çmimeve të naftës dhe me humbjen e një pjese të madhe të shitjeve drejt Indisë, kryesisht për shkak të presionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.