‘Finalissima’ mes Spanjës dhe Argjentinës në rrezik, negociatat bllokohen

Ndeshja e shumëpritur ‘Finalissima’ mes Spanja dhe Argjentina është kthyer në një nga temat më të diskutuara në futbollin ndërkombëtar, por organizimi i saj po përballet me vështirësi serioze.

Gazetari spanjoll, Roberto Gómez, gjatë një analize në emisionin e Radio MARCA, shpjegoi se negociatat për zhvillimin e kësaj ndeshjeje janë shumë më të komplikuara nga sa duket në pamje të parë. Sipas tij, problemi nuk lidhet vetëm me aspektet sportive apo organizative, por edhe me faktorë gjeopolitikë që po ndikojnë në vendimmarrje.

“Gjeopolitika ka hyrë në lojë”, theksoi Gómez, duke shtuar se kjo situatë po e bën të vështirë përcaktimin e vendit dhe datës së zhvillimit të ndeshjes.

Sipas gazetarit, qëndrimet e dy federatave janë shumë të forta dhe kjo po bllokon negociatat. Argjentina nuk dëshiron të luajë në Madrid, ndërsa Spanja nuk pranon të zhvillojë ndeshjen as në Katar dhe as në Buenos Aires. Kjo situatë ka krijuar një ngërç që mund të çojë edhe në anulimin e përballjes.

“Është e mundur që në fund të kërkohet një kundërshtar tjetër ose ndeshja të anulohet,” deklaroi Gómez gjatë diskutimit.

Situata po shqetëson edhe trajnerin e përfaqësueses spanjolle, Luis de la Fuente. Sipas gazetarit, tekniku ka nevojë për ndeshje të rëndësishme për të përgatitur skuadrën dhe pasiguria aktuale nuk e ndihmon aspak.

“Është shumë i shqetësuar dhe ka arsye për këtë,” theksoi Gómez, duke shtuar se Spanja nuk mund të qëndrojë për muaj të tërë pa zhvilluar ndeshje të nivelit të lartë.

Në fund, gazetari i bëri thirrje edhe presidentit të federatës spanjolle, Rafael Louzán, që të ndërhyjë për të zgjidhur situatën sa më shpejt. Sipas tij, një vendim duhet të merret në një kohë të shkurtër për të shmangur anulimin e një prej përballjeve më të pritura në futbollin ndërkombëtar.