Armand Duplantis realizon rekordin e 15-të botëror në mitingun e tij në Uppsala
Fenomeni suedez i atletikës, Armand Duplantis, realizoi rekordin e tij të 15-të botëror radhazi, duke fituar me rezultatin 6.31 metra në edicionin e pestë të Mondo Classic, një miting “Silver” i World Indoor Tour, i zhvilluar në Uppsala të Suedisë. Kjo garë organizohet drejtpërdrejt nga vetë kampioni suedez që prej vitit 2022.
Ajo u konsiderua një nga garat me nivelin teknik më të lartë të zhvilluara ndonjëherë në këtë disiplinë, pasi tetë nga nëntë atletët pjesëmarrës kishin rekord personal mbi 6 metra, ndërsa i nënti kishte një rezultat prej 5.96 metrash.
Për 26-vjeçarin suedez, që shpesh konsiderohet si një “jashtëtokësor” në panoramën botërore të atletikës, gara shkoi në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai realizoi vetëm katër kërcime: në 5.65 m, 5.90 m, 6.08 m dhe më pas në 6.31 m, që i solli rekordin e ri botëror. Të gjitha këto lartësi u kaluan që në provën e parë.
Ai që në letër mund të dukej si rivali më i rrezikshëm i tij, greku Emmanouil Karalis, i cili deri më sot kishte rezultatin më të mirë sezonal me 6.17 metra, arritur vetëm pak ditë më parë duke përmirësuar dukshëm rekordin e tij personal, zhvilloi një mbrëmje disi nën pritshmëri dhe u ndal në 5.80 metra, duke u renditur vetëm në vendin e shtatë.
Vendin e dytë në garë e mori norvegjezi Sondre Guttormsen me 6.00 metra, ndërsa në vendin e tretë u rendit amerikani Zachery Bradford me 5.90 metra.
Të gjithë rekordet botërore të Armand Duplantis:
-
8 shkurt 2020 — 6.17 m — Toruń (Polonia) – Rekordi i parë botëror
-
15 shkurt 2020 — 6.18 m — Glasgow (Mbretëria e Bashkuar)
-
7 mars 2022 — 6.19 m — Beogradi (Serbia)
-
20 mars 2022 — 6.20 m — Beogradi (Serbia) – Kampionati Botëror indoor
-
24 korrik 2022 — 6.21 m — Eugene (SHBA) – Kampionati Botëror outdoor
-
25 shkurt 2023 — 6.22 m — Clermont‑Ferrand (Franca)
-
17 shtator 2023 — 6.23 m — Eugene (SHBA) – Diamond League
-
20 prill 2024 — 6.24 m — Xiamen (Kina)
-
5 gusht 2024 — 6.25 m — Parisi (Franca) – Lojërat Olimpike
-
25 gusht 2024 — 6.26 m — Zyrihu (Zvicra) – Diamond League
-
28 shkurt 2025 — 6.27 m — Clermont‑Ferrand (Franca)
-
15 qershor 2025 — 6.28 m — Stokholmi (Suedia)
-
12 gusht 2025 — 6.29 m — Budapesti (Hungaria) – Kampionati Europian
-
15 shtator 2025 — 6.30 m — Tokio (Japonia) – Kampionati Botëror
-
12 mars 2026 — 6.31 m — Uppsala (Suedia) – Mondo Classic