Shërbimet online, por administrata publike vijon të fryhet! Ky është rekordi i 23 viteve
Administrata publike në Shqipëri vijon të fryhet nga viti në vit, pavarësisht rënies së ndjeshme të popullsisë dhe investimeve të mëdha në digjitalizim. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e fundit të vitit të kaluar numri i punonjësve në sektorin shtetëror arriti në 186,581 persona, ndërsa mesatarja për vitin 2025 ishte 185,386 punonjës.
Krahasuar me vitin 2024, administrata publike u zgjerua me rreth 3 mijë punonjës ose 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2002. Ky zgjerim vjen në një kohë kur vendi përballet me një rënie dramatike të popullsisë.
Në vitin 2002 Shqipëria kishte mbi 3 milionë banorë dhe rreth 186 mijë punonjës publikë. Sot, më shumë se dy dekada më pas, popullsia ka rënë në rreth 2.36 milionë banorë, një tkurrje prej rreth 22%, e shkaktuar nga emigrimi masiv dhe rënia e lindshmërisë. Megjithatë, në vend që administrata të përshtatej me këtë realitet të ri, numri i punonjësve shtetërorë ka vijuar të rritet, veçanërisht pas vitit 2018.
Rritja është reflektuar edhe në shpenzimet e buxhetit. Në vitin 2014 fondet për paga dhe kontribute për administratën publike ishin rreth 71.4 miliardë lekë për rreth 163 mijë punonjës. Ndërsa në vitin 2025 numri i të punësuarve ka kaluar 185 mijë dhe shpenzimet për personelin kanë arritur në rreth 125.7 miliardë lekë.
Në vetëm një dekadë, barra financiare mbi taksapaguesit është rritur ndjeshëm, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin shtetëror është zgjeruar në mënyrë të vazhdueshme.
Kjo rritje ka ndodhur paralelisht me investime shumë të mëdha në digjitalizimin e shërbimeve publike. Vetëm në vitin 2025 financimi për e-qeverisjen arriti në 20.1 miliardë lekë, ndërsa nga viti 2019 deri në vitin 2025 janë shpenzuar në total rreth 48.4 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro për projekte digjitale.
Qeveria i ka paraqitur këto investime si një hap drejt modernizimit të administratës dhe thjeshtimit të shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
Sipas të dhënave të Eurostat, rreth 78% e shqiptarëve kanë ndërvepruar me autoritetet publike online gjatë 12 muajve të fundit, një nivel më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian.
Por realiteti në terren shpesh ka qenë ndryshe. Platforma kryesore e shërbimeve elektronike e-Albania është përballur muajt e fundit me ndërprerje të shpeshta, vonesa dhe vështirësi në akses, duke krijuar probleme reale për qytetarët dhe bizneset që janë të detyruar të kryejnë shumë procedura vetëm online.
Në teori, digjitalizimi duhet të kishte sjellë një administratë më të vogël dhe më efikase. Por shifrat tregojnë të kundërtën: ndërsa popullsia e vendit zvogëlohet dhe mijëra qytetarë largohen çdo vit nga Shqipëria, numri i punonjësve në administratë vazhdon të rritet.
Në vitin 2003 kishte rreth 16 banorë për çdo punonjës shteti. Në vitin 2025 ky raport ka rënë në më pak se 13 banorë për një punonjës publik, duke treguar se administrata po bëhet gjithnjë e më e rëndë për ekonominë dhe taksapaguesit.
Në vend që të krijohej një shtet më i vogël, më efikas dhe më i orientuar drejt teknologjisë, zhvillimet e viteve të fundit tregojnë një administratë gjithnjë e më të fryrë dhe një barrë në rritje për qytetarët që mbeten në vend.