'Kanë frikë të mos i veshin'/ Trump u bleu bashkëpunëtorëve të tij të njëjtat këpucë: Ai i zgjodhi numrat 'me sy'

Moda zakonisht nuk është temë bisede në Uashington, një qytet i përqendruar kryesisht te politika dhe pushteti, dhe jo shumë i interesuar për veshjen si formë shprehjeje personale. Megjithatë, këtë javë vëmendjen e mori një detaj i pazakontë: një palë këpucë për të cilat Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se ka një pëlqim të veçantë.

Bëhet fjalë për këpucët klasike Oxford me lidhëse, të prodhuara nga marka amerikane Florsheim. Kompania mëmë e saj, Weyco Group, pa aksionet të rriteshin me 6.42% të mërkurën, ndërkohë që ka paditur qeverinë amerikane për dëmet që sipas saj i kanë shkaktuar biznesit tarifat tregtare të administratës Trump, duke qenë se shumë prej produkteve të saj prodhohen jashtë SHBA-së.

Këpucët janë relativisht të përballueshme, me një çmim rreth 145 dollarë, dhe presidenti thuhet se i blen në sasi të mëdha. Madje, sipas raportimeve të El País, duke iu referuar The Wall Street Journal, Trump ka edhe zakon t’i dhurojë ato si dhurata. Për këtë arsye, këto këpucë janë kthyer në një lloj simboli përkatësie brenda rrethit të tij të ngushtë.

Të gjithë djemtë i kanë ato”, tha një burim anonim nga Shtëpia e Bardhë për gazetën. Një tjetër burim bëri shaka duke thënë se “është qesharake, sepse të gjithë kanë frikë të mos i veshin”, ndërsa e quajti Trumpin “kryeshitësin e këpucëve”.

Një fotografi që u bë virale pasi u publikua historia u realizua gjatë World Economic Forum në Davos të Zvicrës, në janar. Në të shihen disa figura të rëndësishme të administratës: Steve Witkoff, Chris Wright, Howard Lutnick, Scott Bessent, Marco Rubio dhe vetë Trump. Të gjithë duket se kanë veshur të njëjtin model këpucësh të zeza.

Këpucë për të gjithë

Trump nuk ua dhuron këpucët Oxford vetëm anëtarëve të kabinetit. Sipas raportimeve, ai ka porositur palë këpucësh edhe për senatorin republikan Lindsey Graham, drejtorin e komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Steven Cheung, autorin e fjalimeve presidenciale Ross Worthington dhe komentatorin e medias konservatore Tucker Carlson, i cili mori një palë me majë të mprehtë.

Sipas The Wall Street Journal, kutitë e këpucëve po grumbullohen në një zyrë të rezidencës presidenciale, ndërsa disa prej tyre janë të firmosura nga vetë Trump.

Nga ana tjetër, interesi i presidentit për këto këpucë ka ardhur në një moment të ndërlikuar për prodhuesin. Kompania Weyco Group ka ngritur një padi në Gjykatën e Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA-së, duke kundërshtuar vendimin e administratës Trump për të përdorur International Emergency Economic Powers Act për vendosjen e tarifave të ashtuquajtura “reciproke” ndaj dhjetëra vendeve.

Sipas padisë, Shtëpia e Bardhë akuzohet për vendosje të njëanshme të tarifave për mallrat e importuara nga shumë vende të botës, pa paralajmërim paraprak, pa debat publik dhe pa një proces gradual, gjë që sipas kompanisë mund të ketë pasoja të mëdha për ekonominë globale.

Tarifat kanë detyruar kompaninë të rrisë çmimin e këpucëve me rreth 10%, pasi vlerësohet se humbjet e saj nga taksat arrijnë rreth 16 milionë dollarë. Megjithatë, prodhuesit mund të gjejnë një lloj ironie në këtë situatë: rritja e çmimit prek edhe klientin e tyre më të famshëm dhe një nga më besnikët – vetë Donald Trump.