Të shtëna me armë në një sinagogë në Michigan, autori i sulmit u vra nga policia
Të shtëna me armë u raportuan të enjten pasdite në një sinagogë në West Bloomfield Township, pasi një automjet u përplas në derën kryesore të ndërtesës. Incidenti detyroi shkollat pranë zonës të vendoseshin në izolim, ndërsa autoritetet u kërkuan banorëve të shmangin zonën.
Ngjarja ndodhi pak para orës 13:00, orën lokale në adresën 5725 Walnut Lake Road, mes rrugëve Orchard Lake dhe Drake.
Anëtarët e sinagogës morën një mesazh rreth orës 13:30 ku thuhej:
‘Bllokimi është ende në fuqi, por sulmuesi aktiv është neutralizuar. Bllokimi do të vazhdojë derisa të konfirmohet nëse ai veproi i vetëm. Të gjithë fëmijët dhe stafi janë të sigurt. Një kamion u përplas në derën e përparme dhe më pas u hap zjarr.’
Sipas një burimi të informuar mbi hetimin, sulmuesi është vrarë. Deri rreth orës 13:40 nuk ishte konfirmuar asnjë i plagosur tjetër, sipas sherifit të qarkut Oakland, Michael Bouchard.
‘Në këtë moment nuk kemi konfirmim për persona të lënduar, përveç ndoshta vetë sulmuesit,’ tha Bouchard. ‘Situata është ende aktive dhe ne po përpiqemi të kuptojmë saktësisht çfarë ka ndodhur.’
Rreth orës 14:00, autoritetet po kërkonin edhe një të dyshuar të mundshëm në zonë, megjithëse nuk ishte e qartë nëse kishte më shumë se një autor.
Automjete të njësisë speciale SWAT të qarkut Oakland u panë duke lëvizur mes dhjetëra makinave të policisë dhe një automjeti të blinduar.
Beth Swis, banore e Sylvan Lake, tha se kishte dëgjuar se një person mund të ishte qëlluar dhe se ekzistonte mundësia e një sulmuesi të dytë.
‘Erdha këtu për t’u lutur për njerëzit,’ tha ajo. ‘Pashë një grua që po vraponte me një fëmijë. Shprehja në fytyrën e saj më kujtoi atë që pashë te njerëzit gjatë 11 Shtatorit.’
Dhjetëra automjete policie dhe emergjence nga disa qytete të qarkut Oakland – përfshirë policinë e West Bloomfield, Farmington Hills, Clawson, Auburn Hills, Birmingham dhe Pleasant Ridge-mbërritën në vendngjarje.
Policia e Shtetit të Michigan konfirmoi se ishte në dijeni për incidentin dhe u kërkoi banorëve të qëndrojnë larg zonës për të lejuar ndërhyrjen e forcave të rendit. Patrullat janë shtuar gjithashtu pranë vendeve të tjera të kultit në rajon.
Federata Hebraike e Detroitit njoftoi se institucionet hebraike në zonë janë vendosur në izolim si masë paraprake.
Guvernatorja e Michiganit, Gretchen Whitmer, deklaroi se po ndjek nga afër zhvillimet.
‘Komuniteti hebre në Michigan duhet të jetë në gjendje të jetojë dhe të praktikojë besimin e tij në paqe. Antisemitizmi dhe dhuna nuk kanë vend në Michigan,’ tha ajo.
Edhe Prokurorja e Përgjithshme e shtetit, Dana Nessel, theksoi se antisemitizmi ‘nuk mund të tolerohet’.
Autoritetet federale, përfshirë rreth dy duzina agjentë të FBI-së dhe agjentë të Administratës për Luftën kundër Drogës (DEA), mbërritën gjithashtu në kampusin e sinagogës.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi në rrjetin social X se agjentët federalë po bashkëpunojnë me autoritetet lokale për t’iu përgjigjur incidentit që përfshin përplasjen e një automjeti dhe të shtëna me armë.
Jashtë sinagogës, dhjetëra njerëz u mblodhën pranë Walnut Lake Road duke pritur informacion të ri, ndërsa helikopterë policie patrullonin në qiell mbi zonë.