Terror në Sarandë/ 62-vjeçari i futet në banesë fqinjëve dhe i kërcënon me armë, arrestohet nga policia
Ndërhyrja e Policisë në Sarandë ka parandaluar përshkallëzimin e një konflikti mes fqinjësh që mund të kishte përfunduar në ngjarje të rëndë kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin Shefki Kaçupaj, 62 vjeç, pasi dyshohet se hyri i armatosur në banesën e fqinjëve të tij dhe i kanosi ata me armë zjarri.
Sipas Policisë, pas njoftimit të marrë nga një shtetase se fqinji i saj kishte hyrë në banesën e saj në lagjen nr. 4, i armatosur me pistoletë dhe kishte kanosur atë dhe familjarët, shërbimet policore organizuan menjëherë ndërhyrjen dhe shkuan në vendngjarje për neutralizimin e autorit.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe profesional të policisë, u bë i mundur arrestimi i 62-vjeçarit dhe sekuestrimi i armës së zjarrit, një pistoletë me mulli.
Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti mes fqinjëve kishte lindur për shkak të mosmarrëveshjeve mbi shfrytëzimin e një pjese të përbashkët, konkretisht të tarracës së pallatit ku ata banonin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.