Të parët në kostot e karburantit por Delinës i ka mbetur vetëm të na shpjegojë taksën e qarkullimit!
Nga Irena Beqiraj
Po! Ka edhe çështje ku mbajmë vendin e parë, madje me një diferencë mbresëlënëse. Një shqiptari i duhet të harxhoj 7.2% të të ardhurave ditore për të marrë 1 litër karburant, gati 2 herë më shumë sesa çdo ballkanasi tjetër, edhe 4.8 herë më shumë se një qytetari gjerman.
Për më tepër, në mungesë të një transporti publik të shpejtë edhe eficent, ne që e blejmë karburantin më shtrenjtë se në gjithë Europën duhet të dëgjojmë me durim ministrat e qeverisë . Kujtoj që Balluku kur nisi lufta në Ukrainë, me zërin e saj të kadifenjtë, që ka filluar të më mungojë, na këshillonte të mos dilnim me makinë për të blerë bukë apo cigare. Ndërsa mikesha ime Delina me fytyrë të prishur por me durim na shpjegoi , siç u shpjegohet fëmijëve të klasës së parë ,që kush qarkullon më shumë paguan më shumë taksë qarkullimi .
Ndërkohë që struktura e tregut ku dy kompani janë administratorët kryesorë të zonës së lirë të licensuar nga shteti, janë po ashtu dhe importuesit kryesorë (62%) si edhe zotërojnë 67% të shitjeve me pakicë , tregon që këto dy kompani janë përcaktuesit edhe të sasisë edhe të çmimit në treg .
Nuk duhet asnjë ministër financash ekonomie apo transporti me universitet por mjafton një student gjimnazi 17 vjeçar që po studion bazat e ekonomiksit që të kuptojë që kjo strukturë tregu quhet OLIGOPOL madje oligopol vertikal i shtrirë në çdo hallkë të shpërndarjes. Janë dy kompani që zotërojnë tregun në çdo hallkë të tij dhe mund të përcaktojnë çmimet edhe rrjedhimisht fitimet e tyre të pa shqetësuara nga asnjë lloj konkurrence. Aq më pak nga task- forca e Delinës që në kushtet kur oligopoli fillon tek zona e lirë , i ngjan një shakaje naive që përsëritet edhe pse rezultatet janë të provuara .
Është detyra e qeverisë të kontrollojë tregjet oligopol, por për të qenë të drejtë deri në fund, duhet thënë që ministrat tanë nuk kanë asnjë mundësi sot. Vendimet e marra në vite nga socialistët edhe demokratët kanë dorëzuar një pjesë të mirë të aseteve strategjike kombëtare edhe të sigurisë kombëtare në duar të kompanisë kryesore të hidrokarbureve.
Në këto kushte, në vend që të prishin oligopolin në hidrokarbure qeveria është e detyruar të ndezë një qiri natë për natë e të lutet që tregtari i fuqishëm i naftës t’i ketë me sy të mirë. Ndërsa ne të gjorëve na shpjegon taksën qarkullimit që e paguajmë çdo ditë dhe e kuptojmë shumë mirë.
Madje ne kuptojmë shumë mirë edhe përse nuk e ul qeveria taksën e qarkullimit. Sepse nga 400 milionë euro që ka investuar mesatarisht çdo vit në ndërtimin e rrugëve që rrëzohen me shiun e parë ose ndryshe që bëhen rrush e kumbulla çdo vit , 210 milionë i paguajmë shqiptarët direkt me taksën e qarkullimit. Po a e kuptoni ju kush i paguan kostot e "ndryshimit epokal" që ju trumbetoni e në të njëjtën kohë na këshilloni të mos e përdorim?
Kështu që kini mëshirë, na kurseni leksionet !