PS mbron Ballukun në Kuvend, mijëra qytetarë protestë te parlamenti! Berisha: Rama firmosi fundin e tij politik

Nga SYRI TV

Teksa në Kuvend zhvillohej seanca për imunitetin e Belinda Balluku, mijëra qytetarë kishin rrethuar godinën ku zhvillohej seanca plenare, duke protestuar kundër mbrojtjes që mazhoranca socialiste i bëri ish-zëvendëskryeministres.

Për më shumë se 1 orë e 30 minuta, qytetarët kanë qëndruar përpara Kuvendit duke ndjekur zhvillimet në seancë, ndërsa në podiumin e vendosur janë ngjitur disa zyrtarë të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e Edi Rama, si njeriun kyç të aferave të Belinda Balluku.

Pas votimit në Kuvend, ku me 82 kartonë socialistët morën në mbrojtje Belinda Balluku, protestës iu bashkuan deputetët dhe lideri i opozitës Sali Berisha.

Berisha iu drejtua qytetarëve duke theksuar se me vendimin e sotëm për Belinda Balluku, Edi Rama firmosi fundin e tij politik, duke legjitimuar të drejtën e qytetarëve për ta nxjerrë nga pushteti.

'Edi Rama, kreu i organizatës kriminale, shënoi vetëvrasjen e tij politike, shënoi fundin e tij politik, firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit. Sot ai nuk votoi për lubi Ballukun, votoi për veten e tij, votoi për të mbrojtur vjedhjet që ka bërë. Në historinë kombëtare nuk ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore' tha ai.

Më tej lideri i opozitës u shpreh se Edi Rama është demaskuar jo vetëm në sy të shqiptarëve, por sipas tij, falë edhe qëndresës së qytetarëve, kryeministri është sot qeveritari më i poshtëruar në Europë si mbrojtës i korrupsionit.

Eshtë puna juaj, është qëndresa juaj, protesta juaj, që bëri që sot ai të dalë para mbarë shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar, si qeveritari më i poshtëruar në Europë. Nuk ka sot një qeveritar në Europë që të votojë për mbrojtjen e vjedhjeve të tij, siç bëri Edi Rama. Le të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore, kjo është pranvera jonë. Do rikthejmë shpresën e madhe të Shqipërisë, do vendosim Shqipërinë në rrugën e dinjitetit.

Pas fjalës te foltorja e protestës, lideri i opozitës Sali Berisha dhe deputetët iu drejtuan selisë blu, ndërsa nga shkallët e saj lajmëroi edhe protestën e radhës kombëtare që do të mbahet më 22 mars.

Gjatë protestës përpara Kuvendit, qytetarët shpalosën mesazhe kundër korrupsionit dhe vjedhjeve të zyrtarëve të lartë të qeverisë, ndërsa slogani kryesor i tubimit ishte: “We want Albania to be like Europe”, “E duam Shqipërinë të jetë si Europa”.