Socialistët mbrojtën Ballukun/ Ish deputeti i PS reagon ashpër, Zela: Sjellje antikombëtare, harrojeni anëtarësimin në BE!
Ish deputeti i PS, Ilir Zela ka reaguar ashpër pasi mazhoranca socialiste vendosi me votë në Parlament të rrëzojë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes së PS, Belinda Balluku, në mënyrë që t’i hapej rruga arrestimit të kësaj të fundit.
Përmes një statusi të gjatë në rrjetet sociale, bashkangjitur edhe reagimin e ambasadës holandeze në Tiranë, ish anëtari i kryesisë së PS, Ilir Zela shkruan se sjellja e sotme e mazhorancës është në dëm të interesit kombëtar të Shqipërisë në rrugën e saj integruese në BE.
‘Nga sot, e gjithë politika e paprinciptë shqiptare, zaptuesja e të gjitha pushteteve, sabotuesja e demokracisë, kultivuesja e korrupsionit dhe krimit të organizuar, është non-grata nga Bashkimi Europian!’, shkruan Zela.
Duke fajësuar për këtë mazhorancën socialiste, ish ligjvënësi i PS,thekson gjithashtu se anëtarësimi i Shqipërisë në BE shtyhet me të paktën një dekadë.
‘Le të gëzohen ata që vjelin frytet e mbajtjes së Shqipërisë jashtë Europës e të mërzitet brezi i dytë, i cili duhet të zhgënjehet e ri-zhgënjehet për groposjen e aspiratave për bashkim me Europën!’, përmbyll reagimin ish deputeti i PS, Ilir Zela.