‘Finalissima’ drejt ‘Bernabéu’-t, tensionet në Katar zhvendosin duelin Spanjë-Argjentinë

Ndeshja e shumëpritur e ‘Finalissima’, që përball fituesen e Europianit me fituesen e Copa América-s, pritet të zhvillohet në stadiumin ‘Santiago Bernabéu’, në Madrid. Sipas mediave spanjolle, kjo arenë është favoritja kryesore për të pritur përballjen mes Spanjës dhe Argjentinës.

Fillimisht ndeshja ishte planifikuar të luhej më 27 mars në Doha të Katarit, por situata e tensionuar e sigurisë në rajon detyroi organizatorët të rishikonin vendin e zhvillimit. Raportohet se vendimi erdhi pas incidenteve të fundit, ku forcat ushtarake të Katarit kanë interceptuar dronë dhe raketa balistike në një klimë tensioni të lidhur me konfliktin që përfshin Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Iranin.

Alternativa të tjera si Roma dhe Lisbona u morën në konsideratë, por UEFA dhe CONMEBOL e shohin Madridin si zgjedhjen më të përshtatshme për një ndeshje të këtij niveli. Vendimi final pritet të merret së shpejti, ndërsa mbeten vetëm disa detaje organizative dhe sigurie për t’u zgjidhur.

Stadiumi i Real Madridit ka përvojë në organizimin e ndeshjeve të mëdha në rrethana emergjente. Në vitin 2018 ai priti finalen e Copa Libertadores 2018 mes River Plate dhe Boca Juniors, e cila u zhvendos nga Buenos Aires pas incidenteve të dhunshme.

Kompeticioni u zhvillua fillimisht në vitet 1985 dhe 1993, ndërsa u rikthye në vitin 2022, kur Argjentina mundi Italinë.

Nëse vendimi konfirmohet, tifozët mund të shohin një duel spektakolar mes Lionel Messit dhe talentit të ri spanjoll, Lamine Yamal, në një nga stadiumet më ikonike të futbollit botëror.