Balliu: Edhe ndërkombëtarët treguan se qeveria e Ramës është larg interesave të Shqipërisë

Me fuqinë e kartonit socialistët rrëzuan sot kërkesën e SPAK-ut për t'i dhënë autorizim drejtësisë që ta arrestojë ish-numrin dy të qeverisë, deputeten e Partisë Socialiste, zonjën Belinda Balluku.

Nga selia blu, deputeti demokrat Klevis Balliu, në një prononcim për Syri Tv, deklaroi se vendimi ishte i pritshëm, duke akuzuar drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama si personin që fshihet pas këtij vendimi. Për Balliun, Rama është i detyruar të mbrojë Ballukun, pasi ai vetë është “firmëtari dhe drejtuesi i vërtetë i kësaj afere korruptive”.

"Për opozitën ishte një vendim i pritshëm. Prej kohësh lideri i opozitës ka deklaruar se Edi Rama nuk e lëshon dot Belinda Ballukun, jo për nga dashuria por nga fakti që është ai firmëtari, është ai drejtuesi i asaj afere korruptive dhe si rrjedhojë është i detyruar sot ta mbrojë Ballukun.

Belinda Balluku e ka lidhur prej fyti kryeministrin Rama dhe sot ai punon për të. Sot ai ka vetëm një problem, vetëm një hall që është çështja e tij, nuk ka më çështje Balluku, tani ka çështje Rama. Çështja Balluku është çështja Rama. Në këtë kontekst, fatkeqësisht sot, pas 30 viteve, jemi rikthyer në sistemin ku vendimet e një partie politike prevalojnë mbi kërkesat e sistemit të drejtësisë. Sot, Partia Socialiste është qeveri, është gjykatë, është prokurori, është gjithçka"

Deputeti i opozitës vuri në dukje standardin e dyfishtë të qeverisë.

“Kjo është e njëjta qeveri e cila aktualisht në këtë moment kërkon burg për qytetarët që parkojnë makinën dysh, pra parkimin kërkojnë ta zgjidhin me burg, kurse korrupsionin kërkojnë ta zgjedhin me amnisti për Belinda Ballukun dhe Edi Ramën. Në këtë kontekst, mendoj që është një situatë shumë e rëndë, shumë e agravuar e shtetit ligjor”

Balliu nënvizoi se deklaratat e fundit të ambasadave të Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë janë dëshmi se veprimet e qeverisë po e largojnë vendin nga rruga e integrimit europian.  

Dua të përshëndes deklaratat e në mbështetje të qytetarëve dhe të pluralizmit dhe të drejtësisë, deklaratat e ambasadës së Britanisë së Madhe dhe ambasadës gjermane, të cilat qartësisht treguan që sot qeveria dhe kjo lloj politike e kësaj qeverie është larg interesave të Shqipërisë, larg integrimit të Shqipërisë, larg Bashkimit Europian, larg qytetarëve, është thjesht dhe vetëm në, qartazi, në interesin e pushtetit të vet. Tani nuk ka mbetur më gjë për t'u analizuar. Jemi në një situatë ku e vetmja gjë që duhet të mendojmë janë aktet që duhet të bëjmë si shoqëri. Në qoftë se deri dje dikush mund ta quante Edi Ramën si një problem për Partinë Demokratike, nga sot ai është konkretisht dhe realisht, një kërcënim për të ardhmen e Shqipërisë dhe për xhepat e çdo qytetari shqiptar.

A duhet opozita të intensifikojë aksionin e saj edhe brenda parlamentit?

"Asgjë nuk përjashtohet, aksioni patjetër do vijë duke u përshkallëzuar, por gjithashtu një gjë që është tejet e rëndësishme në këtë moment është edhe një rritja e volumit të takimeve dhe me aleatët tonë ndërkombëtarë, e cila do të ndodhi shumë shpejt. Jeni i bindur që nga java e ardhshme do të ketë takime shumë serioze të niveleve të larta, të eksponentëve të Partisë Demokratike me komunitetin ndërkombëtar.

Një gjë është e qartë, patjetër aleatët tanë na mbështesin, por në fund të ditës ne këtë punë do duhet ta zgjidhim vetë. Rama, nuk është më problemi i një partie politike. Kush e shikon si të tillë nuk ka kuptuar asgjë. Edi Rama është kthyer në një kërcënim për interesin kombëtar. Mjafton të shikosh situatën për Portën Romanon të cilin po kërkonte ta shiste tek Rusia apo tek të tjerë të cilët nuk janë në interesat tona kombëtare dhe e pamë deklaratën e kryetarit të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Sot kemi deklaratën e Mbretërisë së Bashkuar në lidhje me drejtësinë, në lidhje me parlamentarizmin në Shqipëri, që ishte para votimit dhe më pas kemi dhe deklaratën e ambasadës gjermane. Pra, tanimë e vërtetuar në të gjitha gjuhët e botës, Edi Rama është kërcënim për Shqipërinë, është kërcënim për të ardhmen tonë. Atëherë ne kemi detyrimin moral dhe të drejtën ligjore dhe politike po dhe me të drejtën e Zotit, të bëjmë gjithçka për ta larguar atë'