Rama mbron Vuçiçin: E ka makth Kosovën, por është lider vizionar me të cilin mund të ndërtosh së bashku

Edi Rama mbrojti hapur mikun e tij, Aleksandër Vuçiç, gjatë një interviste për median turke, Turkiye Today.

Duke iu adresuar pyetjes nëse Turqia ka ambicie neo-otomane, Rama u ndal edhe tek Vuçiç.

Kryeministri shqiptar tha se Vuçiç e ka makth Kosovën dhe ndonjëherë thotë gjëra pa kuptim.

Por Rama tha se Vuçiç ësht ënjë lider me intuitë të fortë, vizionar, me njohuri të mëdha, me të cilin mund të flitet dhe të ndërtosh së bashku.

PJESË NGA SHKRIMI

Tetorin e kaluar, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, akuzoi Turqinë se po “ëndërron për Perandorinë Osmane” pas dorëzimit të dronëve Skydagger në Prishtinë. Më vonë, ai akuzoi gjithashtu Turqinë dhe SHBA-në se po armatosin shqiptarët në Kosovë, duke e paraqitur këtë si “një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë dhe integritetin e saj territorial.”

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, nuk i kurseu fjalët lidhur me akuzat e fundit të Vuçiçit se Shqipëria, Kroacia dhe Kosova po formonin një “aleancë ushtarake” me synim rrezikimin e Serbia. Rama i cilësoi këto pretendime si frikëra që burojnë nga pamundësia e Serbisë për të pranuar realitetin.

“Presidenti Vuçiç është dikush me njohuri të mëdha, me intuitë të fortë dhe që sheh përpara për shumë gjëra, por ai ka makthin e tij: është Kosova. Kaq. Pikë,” deklaroi Rama.

“Kur makthi pushton emocionet e tij, ai arrin të thotë edhe gjëra që, sinqerisht, nuk kanë kuptim,” shtoi ai.

Duke iu referuar “aleancës” së supozuar, Rama e hodhi poshtë pretendimin: “Kjo është një tjetër britmë në makth… E dini çfarë? Serbia ka një marrëveshje shumë më të fortë me Kroacinë sesa kjo”.

Këshilla e tij për Beogradin ishte e drejtpërdrejtë: “Prandaj unë gjithmonë them: priteni litarin, lëreni të shkojë. Duke e lënë të shkojë, makthi juaj do të marrë fund… Të mos e lësh diçka që tashmë ka ikur, bëhet makth”.

Megjithatë, pavarësisht mosmarrëveshjeve me Beogradin, Rama tha se presidenti serb Vuçiç mbetet një lider “me të cilin mund të flitet dhe të ndërtohet së bashku”.

“Mendoj se ai është dikush me të cilin mund të flitet dhe me të cilin mund të ndërtohet së bashku mbi bazën e objektivave të përbashkëta,” tha ai për Vuçiçin.